KRYEGJYSHI BOTËROR, DEDE EDMOND BRAHIMAJ TAKON PRESIDENTIN E GJERMANISË, FRANK WALTER STEINMEIER

 

Ditën e mërkurë, më 30 nëntor 2022, me ftesë të Ambasadores së Republikës Federale të Gjermanisë, në Shkup, znj. Anke Holstein, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Fokusi i bisedës kishte të bënte me çështjen dhe rolin e madh që luan sot, për kohën dhe shoqërinë njerëzore, harmonia dhe toleranca fetare.

Gjatë këtij takimi, Kryegjyshi Botëror pasi e njohu Presidentin me rrugëtimin 800 vjeçar të besimit të paqtë bektashian, ndër të tjera u shpreh: “Ndjehem i nderuar për këtë vlerësim dhe që na bëni pjesë të pandarë të aktiviteteve dhe vizitave tuaja, sepse mbi të gjitha, Kombi dhe besimi në Zot do të lartësojnë vlerat e shoqërisë që duket se është në kërcënim të vazhdueshëm. Koha në të cilën po jetojmë, po na përballë me sfida të pashembullta njëra pas tjetrës, pandemia na izoloi e tashmë lufta e ashpër ruse ndaj Ukrainës që po trondit të gjithë botën, po merr jetë të pafajshme foshnjash, kryefamiljarësh e djemsh të rinj. Po dëbon nga trojet shumë shtetas Ukrainas, e kjo është një e keqe për të gjithë, që duhet ç’ rrënjosur sa më parë. Lutjet tona të përbashkëta janë gjithmonë për paqen, armëpushimin dhe lirinë e një kombi të pavarur. Kurdoherë feja ka pasur prioritet çështjen kombëtare dhe besimi në Zot që duhet ta shoqërojë përherë. Zoti i Lartësuar na bekoftë të gjithëve, e na bëftë të denjë për të udhëhequr besimtarët që aq shumë kanë nevojë për ne. E për këtë ditë të veçantë për të gjithë ne, familjet dhe gjithë njerëzit që na rrethojnë, uroj që bekimet e uratat e Zotit të na sjellin paqe në këto kohë të trazuara lufte, mbarësi e begati!”

Nga ana e Tij, Presidenti Steinmeier, vlerësoi punën e bërë nga Kryegjyshi Botëror deri tani në Shqipëri, Ballkan dhe më gjerë duke vënë theksin në rolin e rëndësishëm dhe angazhimin e Shqipërisë për stabilitetin në rajon. “Liria e fesë dhe besimit është një realitet praktik në Shqipëri dhe bota mund të mësojë shumë nga përvoja shqiptare në respektimin e lirisë së mendimit, ndërgjegjes, fesë apo besimit dhe arritjen e harmonisë fetare”-pohoi ai.

Kujtojmë se Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ndër shumë tituj, dekorata e vlerësime prestigjioz ndërkombëtar, në ceremoninë tradicionale të ndarjes së Çmimeve të Tolerancës dhe Paqes, u nderua me titullin “Unaza e Tolerancës dhe e Paqes” . Kjo ceremoni, u organizua ditën e enjte, më datë 18 nëntor 2021, nga Universiteti Teknik i Këlnit, Gjermani.