Ditën e shtunë, më datë 22 tetor 2022, ora 16:00, në ambientet e Kolegjit Universitar ‘Reald’, në Vlorë, emisioni “Autokton”, me autore gazetaren Anila Ahmataj, organizoi aktivitetin: “Të heqim pluhurin e harresës.” Si të promovojmë dhe lartësojmë veprën dhe figurat atdhetare. Qëllimi i sezonit të tretë televiziv, zbulimi, promovimi dhe publikimi i objekteve të kultit, personazheve me rëndësi fetare, ndërkombëtare!
Në këtë aktivitet merrte pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Ky aktivitet u çel me fjalimin e hapjes, drejtuar nga gazetarja Anila Ahmataj, për të vazhduar më pas me transmetimi në video projektor, të një përmbledhje materiali historik, pjesë nga emisioni ‘Autokton’, kushtuar figurës patriotike të “Ismail Mekatit”; Promovimi dhe fjala referuese e autorit të librit “Studime Historike” Kastriot Bimo; Këngë përshëndetëse kushtuar figurës së Ismail Mekatit” dhe veprimtarisë së tij nga grupi polifonik i Fushëbardhës; Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; luajtja e disa pjesëve muzikore në flaut Parashqevi Hallkaj; për të vazhduar më pas me fjalën përshëndetëse të Drejtorit të Institutit të trashëgimisë Kulturore në Shkup, Skënder Hasani; fjala përshëndetëse e Prefektit të Qarkut Vlorë!
Në fund, ishte këngë përshëndetëse nga grupi polifonik i Llakatundit dhe mbyllja me repertorin e Sopranos Denisa Onjea!
…Në përshëndetjen e rastit, ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmodn Brahimaj tha: “Jam i nderuar që marr pjesë në këtë takim me rëndësi të lartë patriotike, atdhetare, e autoktone. Cilësi që shqiptarët e po ashtu bektashinjtë i kanë trashëguar në breza e po punojnë për ti kultivuar edhe tek gjeneratat e reja që do të vijnë.
Në historinë e Shqipërisë do të veçoja kohën e diktaturës, e cila jo vetëm që i la në pluhurin e harresës komunitetet fetare, objektet e kultit, teqetë, tyrbet, ndikimin pozitiv që ato kishin në promovimin e vlerave të klerikëve bektashinj në popullatë, por diktatura i shkatërroi ato, i përbuzi e mandej i vrau shumë klerikë, që përveçse patriotizmit, atdhedashurisë, vlerave njerëzore të larta dhe respektin që gëzonin në popullatën ku shërbenin, nuk ishin ‘armiq të popullit’ ashtu sikundër u propaganduan por martir të së vërtetës.
Më lejoni këtu të përmend kontributin e vyer që baballarë, dervishë e klerikë të nderuar i kanë dhënë Shqipërisë e shqiptarëve. Teqetë gjatë Rilindjes Kombëtare, dervishët dhe baballarët kontribuuan në përhapjen dhe ngritjen e shkollave shqipe. Në Teqenë e Frashërit, Baba Alushi hapi shkollë ku mësuan dhe vëllezërit Frashëri. Baba Abedini i teqesë së Frashërit hapi shkollë shqipe në Kakos, për katundet Qeshibes, Strenec, Surropull. Në vitin 1910 ai organizoi mitingjet në Skrapar dhe Përmet, me moton: “Rroftë ABC-ja”. Baba Meleq Shëmbërdhenji ndihmoi në hapjen e shkollave shqipe dhe shpërndau abetaret që vinin nga Rumania, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. Baba Xhaferi, i teqesë së Prishtës, hapi në vitin 1908 shkollën e parë shqipe në Çorovodë, me 34 nxënës nga fshatrat përreth. Baba Sali Matohasanaj hapi shkollën e parë shqipe në Matohasanaj – Tepelenë dhe në Golimbas të Vlorës, para vitit 1908. Baba Ahmet Koshtani hapi shkollën e parë shqipe në teqenë e Koshtanit më 1908. Baba Jashar Krena, në Martanesh hapi shkollën shqipe më 1908. Baba Jusufi i teqesë së Bllacës në Dibër hapi shkollë shqipe më 1908. Baba Fetahu i teqesë së Backës hapi shkollë shqipe, në Skrapar, para Lidhjes së Prizrenit. Haxhi Ismail Baba, Haxhi Muhamet Baba, Haxhi Hysen Baba, Baba Zenel Kaloshi, Dervish Ali Dedej, kanë dhënë ndihmesë për përhapjen e gjuhës shqipe në Krujë dhe rrethinat e saj.
… Bektashianët e Shqipërisë gëzojnë dy tipare që bien në sy. Këto janë toleranca me të cilën shohin besimet dhe organizimet e tjera, si dhe vënia e dashurisë për atdheun mbi gjithçka. “Pa atdhe, nuk ka fe”, është një shprehje që përdoret gjerësisht prej bektashinjve shqiptarë.
E mandej, duke vazhduar me Kryegjyshët Botërorë nga Haxhi Bektash Veli e me radhë deri tek Sali Njazi Dede Baba (1913-1941). Misioni i ngarkuar i dha një përvojë të pasur si klerik, organizator dhe drejtues i aftë i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Ali Riza Dede Baba (1941-1944) Për 10 vjet shërbeu në teqetë e Krujës, duke u bërë shembull i përgatitjes së një kleriku të aftë dhe me autoritet në këtë Gjyshatë.
Kamber Ali Dede Baba (1944-1945) u aktivizua shumë në Lëvizjen Kombëtare në përhapjen e arsimit shqip në malësi të Skraparit, Kolonjës, Përmetit, Tomoricës dhe sidomos për njohjen e shtetit shqiptar të porsaformuar nga fuqitë e mëdha.
Xhafer Sadik Dede Baba (1945-1945) Ka luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe në krahinën e Përmetit.
Abaz Hilmi Dede Baba (1945-1947) përhapi atdhedashurinë kulturën fetare, dhe respektin e dashurinë në Zot.
Ahmed Myftar Dede Baba (1947-1980) me armë në dorë, luftoi në radhët e Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe inkuadrohet në Brigadën XVIII Sulmuese. Ka qenë në batalionet partizane të Martaneshit, Elbasanit dhe Pezës. Në vitin 1943, internohet në Porto Romano të Durrësit. Në vitet 1948-1958 organizoi arsimin fetar dhe nën kujdesin e tij u përkthyen në gjuhën shqipe dhjetëra libra për bektashizmin. Ai u bë faktor i harmonisë fetare midis komuniteteve fetarë tradicional në Shqipëri. Zgjidhi një varg detyrimesh të Komunitetit Bektashian Shqiptar me bektashinjtë e tjerë në gjithë botën.
Haxhi Reshat Bardhi Dede Baba (1991-2011) Gjatë viteve 1958 – 1967 ka qenë i internuar së bashku me Dede Ahmetin, në Drizar të Mallakastrës. Në vitin 1991, u vu në krye të Kryegjyshatës Botërore, duke u bërë rilindësi i Bektashizmit, pas një periudhe pauze të persekutimit komunist ndaj tij.
Të nderuar të pranishëm, jo pa qëllim i përmenda shkurtimisht kontributin që paraardhësit e mi kanë dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse duke i përmendur japim një ndërgjegjësim për brezat e rinj e ata që do të vijnë.
Përsa i përket objekteve të kultit bektashian, që me aq mund janë ngritur nga të parët tanë, diktatura i shkatërroi totalisht, apo i shndërroi në magazina, fabrika madje i përdori edhe për me qëllime të tjera jo fetare. Po këtu dua të përmend kontributin e vyer të klerikëve dhe besimtarëve pas viteve 90′ të cilët i ringritën ato, me dashurinë e madhe në Zot, e ndaj atdheut. Ndër to do të veçoja godinën multifunksionale ‘Odeoni’ në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, e vetmja në llojin e saj në Ballkan e më gjerë. Ndërtimi i tempullit bektashian, Odeoni, ka qenë ideja e ish Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Dede Ahmet Myftarit, qysh në vitin 1958, mandej e filloi Dede Reshati në janar e vitit 2004. Deri në vitin 2011 mori formën e plotë arkitekturore. Odeoni u përfundua nga unë, Kryegjyshi i sotëm Haxhi Dede Edmond Brahimaj, me të gjitha elementët përbërës të saj. U përurua më 7 shtator të vitit 2015. Kjo vepër e vetmja në llojin e vet në të gjithë botën është një ndërthurje e ornamentalistikës islame në traditën shqiptare të ndërtimit. Është përdorur mermer, granit, profir, vitrazhe me arabeska befasuese për nga rafinimi i tyre, kaligrafi arabe gjithmonë shoqëruar me përkthimin shqip të emrave të Imamëve të besimit bektashian gjenden në këtë faltore. Ndërsa ndërtesat bektashiane kanë këto element të cilët i identifikojnë ato Teqe, Tyrbe, Mejdan,Kafe oxhaku Mësimorja, Kuzhina, Fjetorja, Depo (qilari).Jashtë ndërtesës ka kasollen (ahurin) e kafshëve,dhoma e pritjes,dhoma e nënave me fëmijë, dhoma e burrave, dhoma e dervishëve, dhoma e babait. Materiali – Guri dhe druri,dyer dhe dritare në formë harku të ulëta, ne formë përulje ndaj Shenjtoreve që janë brenda saj, mozaik i gurëve, shfaqja e motiveve te patriotizmit shqiptare, pusi, mulli guri, etj.
Duke dashur të përmend shkurtimisht Teqenë Kuzum baba, që ndodhet pikërisht në kurorën e qytetit të Vlorës. Kjo teqe, ka një histori të madhe dhe një kontribut të rëndësishëm, ku pasqyrohet roli fetar e atdhetar i dervishëve dhe baballarëve të saj ndër shekuj.
Sejjid Ali Sulltan, është ky emër i Kuzum Babait (Quzum Baba). Ai u lind në Teqenë e Madhe të Ohros dhe u rrit e u edukua me besimin bektashian në Turqi. Me kohë, u vesh dervish dhe më vonë, u gradua baba. Pas viteve 1400, caktohet të kryej misionin e madh të besimit bektashian në Evropë dhe, më pas, në Shqipëri. Evliah Çelebiu, në vitin 1670, kur vizitoi Shqipërinë, shkroi për teqenë e Kuzum Babait, të cilën e quan ‘Teqeja e Sulltan Babait’. Ky njeri i shenjtë, niset me bekimin se do të arrinte të bënte gjithçka për popullin në Vlorë dhe në trevat e tjera shqiptare, për përhapjen e besimit bektashian. Por dashakeqësit nxitën qëllimin e keq, në pabesi, tek Qafa e Koçiut në Vlorë dhe i presin kokën. Për këtë, ka mendime të ndryshëm për vitet e themelimit të saj, 1400 – 1500, 1600. Legjenda thotë: Kuzum Babai, mori kokën e vet të prerë në duar dhe nën habinë e tmerrin e të pabesëve, eci drejt në qytet, në kodër. Një grup besimtarësh të lagjes “Murabije”, i ndodhen pranë dhe pasi Kuzum Babai shtrihet, ata e varrosin me ceremonitë e njohura fetare. Në këtë kodër të bukur që shikon qytetin e Vlorës dhe detin, u ngrit tyrbja e Kuzum Babait. Në vitet 1600, u ndërtua një teqe bektashiane, e cila pati shumë sukses dhe lulëzoi në veçanti, në shekullin e 17-të. Misionarët e Sulltan Mahmudit II, më 1826, e shkatërruan teqenë.
Në vitin 1914, teqeja e Kuzum Babait, u bë pritëse për qindra muhaxhirë, duke i mbajtur me bukë dhe gjellë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, italianët e kanë përdorur si një repart të vogël ushtarak. Pas vitit 1945, u restauruan ndërtesat dhe u ringrit tyrbja e Kuzum Babait, e cila, u mbyll me ndalimin e fesë në vitin 1967. U rihap në vitin 1992. Në ngjitje të kodrës Kuzum Baba, është vendosur busti i Dede Ahmetit (Kryegjysh Botëror në vitet 1950 – 1958), i cili pas çlirimit të vendit, ka bërë një punë të madhe në këtë teqe. Teqeja ka zhvilluar aktivitetin e saj në çdo periudhë dhe sot, është një nga qendrat më të rëndësishme për gjyshatën bektashiane të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë. Klerikët që kanë shërbyer në këtë teqe janë: Dede Ahmeti 1945-1948; dervish Qebir Metlliu; dervish Xhelo Sinani në vitin 1950; baba Abedin Agaj, vitet 1950-1956. Pastaj, teqeja, u kthye repart ushtarak dhe një pjesë e ndërtesës, nga viti 1956.
U lanë vetëm dy dhoma që shërbyen baballarë dhe dervish deri në vitin 1967. Objekti u mbyll, me ndalimin e fesë me ligj nga shteti monist. Teqe e madhe është ringritur mbi themelet e teqesë së vjetër, me një arkitekturë të bukur, dy katërshe, me punime me beton dhe tullë e suvatua, me të gjitha ambientet e nevojshme, nga baba Sadik Ibro.Themelet u hodhën në vitin 2000 dhe u përurua në vitin 2003.
I përmenda këto element patriotizmi që shfaqen edhe si pjesë e ndërtesave bektashiane, dhe historinë e klerikëve sepse identiteti i tyre nuk duhet humbur, dhe qëllimi i tyre ka qen atdhedashuria, dashuria për Zotin dhe patriotizmi.
Shkurtimisht, u mundova të përcjell tek ju të pranishëm në këtë takim dhe organizim të veçantë, kontributin e klerikëve bektashinj, devotshmërinë e tyre ndaj atdheut, e treguar në çdo lloj forme e mënyre, edhe duke u martirizuar, edhe duke dhënë jetën për të vërtetën, e duke e përfunduar këtë përshkrim do të doja ta mbyllja me një shprehje : “Jeta përbëhet nga dy ditë, një për ty, pro teje, dhe një kundër teje. Pra, kur është pro jush, mos u bëni krenar dhe të pamatur, dhe kur është kundër jush, jini të durueshëm, sepse të dyja ditët janë provë për ju, ka gjithmonë dritë të mjaftueshme për ata që duan të shohin.― Hazret Ali Ibn Ebu-Talib A.S.
Duke ju falënderuar për vëmendjen Tuaj!
Zoti ju bekoftë! Amin!”