Kryegjyshi Botëror Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, priti Ambasadoren e Greqisë, Znj. Sophia Philippidou

 

Ditën e sotme, Kryegjyshi Botëror Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, priti Ambasadoren e Greqisë, Znj. Sophia Philippidou.
Kryegjyshi e njohu ambasadoren me udhëtimin shpirtëror të bektashinjve prej vitit 1930, kur Qendra Botërore u vendos në Tiranë dhe deri më sot. Ambasadorja u bë me dije gjithashtu për sakrificat e panumërta të klerikëve bektashinj, kontributin e tyre për liri e pavarësi si edhe urtësinë për t’iu afruar me devocion krijuesit.
Kryegjyshi Botëror Bektashian Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e njohu ambasadoren edhe me sfidat e sotme të  Selisë së Shenjtë Bektashiane, si në kontekst të harmonisë fetare në Ballkan, ashtu edhe sfidat e lirisë së besimit dhe të fesë.
Nga ana e saj Ambasadorja Philippidou duke e falenderuar Kryegjyshin për pritjen e ngrohtë u shpreh se ishte kënaqësi e veçantë vizita në mjedise të tilla që frymëzojnë vetëm paqe. Ajo u shpreh midis të tjerave se marrëdhëniet midis Greqisë dhe Qendrës Botërore Bektashiane do të jenë kurdoherë vëllazërore, në të mirë të paqes dhe të lirive fetare.