
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, të mërkurën më 4 mars 2026, mori pjesë në ceremoninë e promovimit të librit “Në sofrën e hënës” me autor, Kryeministrin të Republikës së Shqipërisë, Sh. Tij. Z. Edi Rama.
Libri përmbledh fjalët e mbajtura nga Kryeministri në tryezat tradicionale të iftareve ndër vite, duke sjellë reflektime mbi besimin, solidaritetin, harmoninë ndërfetare dhe vlerat e bashkëjetesës në shoqërinë shqiptare. Nëpërmjet këtyre fjalimeve, theksohet rëndësia e dialogut, respektit të ndërsjellë dhe unitetit, veçanërisht gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, si një kohë meditimi, përkushtimi dhe afrimi mes njerëzve.
“Në sofrën e hënës” vjen si një dëshmi e një tradite tashmë të konsoliduar të tryezave të përbashkëta të iftarit, ku përfaqësues të komuniteteve fetare, personalitete të jetës publike dhe qytetarë të ndryshëm ndajnë jo vetëm bukën, por edhe mesazhe paqeje e mirëkuptimi.
Pas promovimit, të pranishmit morën pjesë në iftarin e shtruar me këtë rast.

