
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, mbrëmjen e 5 marsit 2026, në kuadër të Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, shtroi një iftar shtroi në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, për besimtarë, personalitete shtetërorë e vendorë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, krerë të institucioneve fetare etj..
Ndër personalitetet e pranishëm ishin: H. Bujar Spahiu- Kryetar i KMSH; Z. Toni Gogu – Ministër i Drejtësisë; Klodian Bulku, krei i Komiteti Shtetëror të Kulteve; Nënkryetare e Bashkisë Tiranë, Znj. Anuela Ristani; Prefekti i Qarkut Tiranë, Z. Shkëlqim Hajdari; Kathryn Hammond, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë; Prof. Dr. Kaliopi Naska; Ambasadori i OSBE në Tiranë; Alban Dautaj, drejtues i Antiterrorit; përfaqësues nga Nunziatura Apostolike; Sh. Tij. Z. Marco Alberti Ambasadori i Italisë në Tiranë; Ambasadori i Italisë; Ambasadori i Ukrainës; Ambasadori i Libisë; Ambasadori i Suedisë; Ambasadori i Arabise Saudite Zëvendësambasadori i Japonisë, Z. Tsukasa Omori; Ambasadori i Brazilit; Iris Luarasi, deputete; Sekretari i Parë i Ambasadës së Serbisë në Tiranë; përfaqësues i Ambasadës së Palestinës; kreu i UNICEF; kreu i UNDP; zj. Sidita specialiste për të drejtat e njeriut, OKB; Sekretarja e Parë e Ambasadës së Maqedonisë së Veriut; përfaqësues nga Ambasada Sllovake; përfaqësues nga Ambasada e Kinës; përfaqësues nga Ambasada Bullgare; Zv/Ambasadorja e Greqisë; Ambasadori i Kazakistanit; Derandi Krasniqi, nga UNHCR; Zv;Ambasadori i Hungarisë, Marton Seidner;
Genti Kruja, Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH; Tedi Blushi, deputet; Afrim Qendro; Drejtori i Kabinetit të ministri Blendi Gonxhe; Znj. Lejdi, Dervishi Drejtore në Ministrinë e Punëve të Brendshme; Indrit Doda, drejtor i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje; Znj. Linda Meniku, pedagoge; aba Skender Dervishi; dervish Mytalib Beqiri; Sheh Qemalaudin Reka; avokat Fatmir Braka; Engjëll Musai, kryetar i Shoqatës “Tomorri”; Dr. Hekuran Braho; Dr. Florian Toma etj. Dede Edmondi, që drejtoi ritet e Iftarit, mbajti dhe një fjalë për të pranishmit.
FJALA E KRYEGJYSHIT BOTËROR, DEDE EDMOND BRAHIMAJ:
“Të nderuar klerikë vëllezër të mijë bektashinj dhe përfaqësues të Komuniteteve te ndryshme fetare në Shqipëri! Të nderuar Ministra, diplomatë, zyrtarë të lartë shtetërorë! Të nderuar vëllezër dhe motra, mysafirë të respektuar që agjëroni! Është një nder i veçantë dhe një privilegj i madh t’Ju mirëpres, në këtë darkë Iftari të muajit të Shenjtë të Ramazanit, duke ndarë së bashku bekimet e iftarit dhe reflektimin mbi vlerat e devotshmërisë, solidaritetit dhe mëshirës. Ky muaj i shenjtë është një thirrje për vetëpërmirësim dhe për reflektim mbi marrëdhëniet tona me Zotin dhe me njëri-tjetrin. Siç na mëson Kurani i Madhërueshëm: “O besimtarë! Ju është obligim agjërimi, ashtu si ka qenë obligim për ata që kanë qenë para jush, për t’u bërë ju të devotshëm.” (Sureja Al-Bekare, 2:183)
Agjërimi është një rrugë drejt pastrimit shpirtëror, një mënyrë për të forcuar durimin dhe për të kujtuar ata që kanë më pak, për t’i ndihmuar ata që kanë nevojë dhe për të ruajtur lidhjet e vërteta njerëzore, të bazuara në respekt, dashuri dhe solidaritet. Ndërsa ne bashkohemi për këtë iftar pas një ditë agjërimi dhe lutje, është gjithashtu një rast i veçantë për të nderuar një figurë të shquar të trashëgimisë Bektashiane , të Sali Njazi Dede Baba (1876–1941), i cili këtë vit shënon 150-vjetorin e lindjes.
Në vitin 1913, Sali Njazi Dede Baba u zgjodh Kryegjysh në Haxhi Bektash, post që e mbajti deri në vitin 1941 pas vendosjes së Tij në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe, ai shquhej për cilësi të larta morale, urtësi dhe aftësi të jashtëzakonshme organizative. Emri i tij u bë i njohur në rrethet klerikale të Turqisë, Egjiptit, Sirisë, Iranit, Irakut, Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë, Hungarisë, Jugosllavisë dhe natyrisht në Shqipëri. Ai nuk ishte vetëm një udhëheqës fetar, por një udhëheqës i vërtetë shpirtëror, i cili frymëzoi besimtarët të ndjekin rrugën e moralit, dijes dhe shërbimit të palodhur ndaj komunitetit.
Misioni i ngarkuar i Sali Njazi Dede Baba për gjyqet disa vjeçare për mbrojtjen e të drejtave të bektashinjve në Turqi dhe sjellje e Qendrës Botërore të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri na mësojnë se udhëheqja e vërtetë nuk është thjesht administrim apo autoritet, por shërbim, devocion dhe përkushtim ndaj mirëqenies shpirtërore dhe morale të të gjithë besimtarëve. Ai ka lënë një shembull të paharrueshëm të respektit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke treguar se një komunitet i bashkuar mund të jetë i fortë dhe frytdhënës.
Në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, kur zemrat tona janë më të hapura dhe shpirtrat tanë më të ndjeshëm, ne duhet të kujtojmë mësimet e tij: devotshmërinë e palodhur, respektin për çdo qenie njerëzore dhe përkushtimin ndaj paqes dhe të mirës. Ky është një moment reflektimi mbi rolin tonë si individë dhe si komunitet, dhe mbi përgjegjësitë që kemi për të ndihmuar njëri-tjetrin, për të mbështetur më të dobëtit dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të bashkuar.
Të nderuar të ftuar! Ramazani është muaji i përkushtimit, i pastrimit shpirtëror dhe i rritjes së devotshmërisë. Ai nuk është thjesht një periudhë agjërimi, por një udhëtim i thellë i ndërgjegjes dhe zemrës, një mundësi për të ripërtërirë lidhjen tonë me Zotin dhe për të forcuar vlerat morale që na udhëheqin çdo ditë. Siç na mëson Kuran-i i Madhërueshëm: “Muaji i Ramazanit është ai në të cilin u shpall Kur’ani, udhëzim për njerëzit dhe qartësi për udhëzimin dhe dallimin e së drejtës nga e gabuara.” (Sureja El-Bekare, 2:185)
Ky ajet na mëson se Ramazani nuk është vetëm një kohë për vetëkontroll dhe agjërim, por edhe për reflektim dhe njohje të udhëzimit hyjnor. Kur ne agjërojmë dhe lutemi, ne po angazhohemi për të kuptuar më thellë mesazhet e Kur’anit, për të vepruar drejt dhe për të dalluar të mirën nga e keqja. Ky muaj na fton të përmirësohemi si individë dhe si komunitet, të forcojmë solidaritetin me të tjerët dhe të ndajmë me ata që kanë më pak.
Ramazani është një kohë për t’u bërë më të vetëdijshëm për veprat tona, për të ushqyer zemrën me mirësinë dhe për të ndërtuar ura respekti dhe dashurie midis njerëzve. Është një kujtesë e fuqishme se devotshmëria dhe bamirësia janë baza e çdo shoqërie të drejtë dhe të bashkuar.
Kurani i Madhërueshëm na mëson: “Kush agjëron, ai agjëron për veten e tij, dhe kush bën vepra të mira, Allahu ia shumëfishon shpërblimin.” (Sure El-En’am, 6:160)
Le të përdorim këtë muaj të shenjtë për të forcuar lidhjet tona shpirtërore dhe për të ripërtërir besimin në forcën e bamirësisë dhe të respektit reciprok. Le të kujtojmë se Ramazani nuk është vetëm një kohë për agjërim fizik, por edhe për pastrim shpirtëror, për vetëpërmirësim dhe për thellim të devotshmërisë.
Ndërsa ndajmë këtë iftar, le të falenderojmë Zotin e Lartë për bekimet që na ka dhuruar dhe le të lutemi që të vazhdojmë rrugën e drejtësisë, të dijes dhe të paqes. Lutemi që devocioni ynë të pranohet, agjërimi ynë të shpërblehet dhe njerëzimi të mbetet i bashkuar në të vërtetën, paqen dhe dashurinë për njëri-tjetrin pavarësisht ndasive.
Ramazan të begatë e të pranuar dhe nderim të përjetshëm për 150-vjetorin e lindjes së Sali Njazi Dede! Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!”
FOTOT: Nuri ÇUMANI









































