Ditën e sotme, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, realizoi një takim të rëndësishëm në Selinë e Shenjtë me Papën Leoni XIV, në kuadër të një audience të veçantë të organizuar nga Dikasteri për Dialog Ndërfetar në Vatikan.
Nën titullin “Audienca e Atit të Shenjtë Leoni XIV me përfaqësuesit e kishave, komuniteteve kishtare dhe të traditave të ndryshme fetare”, ky takim bashkoi figura të larta shpirtërore nga mbarë bota, në një moment reflektimi dhe dialogu mbi paqen, bashkëjetesën dhe sfidat globale që prekin besimet e ndryshme.
Haxhi Dede Edmond Brahimaj, si udhëheqësi suprem i komunitetit bektashian, përçoi mesazhin e këtij besimi për dashurinë, tolerancën dhe harmoninë ndërfetare. Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje është një dëshmi e rolit aktiv që bektashinjtë vazhdojnë të luajnë në nxitjen e dialogut mes feve dhe në ndërtimin e urave të mirëkuptimit midis kulturave të ndryshme.
Ngjarja në Vatikan nënvizon gjithashtu vlerësimin që Selia e Shenjtë i jep bashkëpunimit dhe dialogut ndërfetar, si një instrument thelbësor për paqen dhe stabilitetin global.
Ky takim historik përforcon më tej marrëdhëniet miqësore midis komunitetit bektashian dhe Kishës Katolike, duke përcjellë një shembull frymëzues të bashkëpunimit shpirtëror në një botë që ka gjithnjë e më shumë nevojë për unitet dhe mirëkuptim.