KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE MERR PJESË NË HOMAZHET ZYRTARE PËR PAPA FRANÇESKUN NË VATIKAN

Ditën e sotme, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, mori pjesë në homazhet zyrtare në nder të Papa Françeskut, të organizuara sipas protokollit të Dikasterit të Dialogut Ndërfetar të Selisë së Shenjtë të Vatikanit.
Në këtë ceremoni të veçantë ishte i pranishëm edhe një delegacion nga Shqipëria, i kryesuar nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, si dhe përfaqësues të lartë të komuniteteve fetare në vend. Delegacioni u shoqërua gjithashtu nga Kardinali shqiptar, Ernest Simoni Troshani, dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan.
Pjesëmarrja e përbashkët e autoriteteve shtetërore dhe fetare shqiptare në këtë akt nderimi për Papën përçon një mesazh të fuqishëm solidariteti dhe respekti, duke reflektuar njëherazi modelin unik të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare që karakterizon Shqipërinë.
Kryegjyshi Haxhi Dede Edmond Brahimaj do të jetë i pranishëm edhe në ceremoninë zyrtare të varrimit të Papa Françeskut.

Përgatiti: XH. ÇULLHAJ