Tiranë, 24 prill 2025 – Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, priti sot në selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane znj. Nency VanHorn, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, së bashku me përfaqësuese të zyrës politike-ekonomike të ambasadës.
Gjatë takimit, palët diskutuan mbi historinë dhe rolin e Qendrës Botërore Bektashiane në jetën shpirtërore dhe kulturore të vendit, si dhe mbi kontributin e saj për forcimin e harmonisë ndërfetare në Shqipëri. U theksua bashkëpunimi i frytshëm ndër vite mes Ambasadës Amerikane dhe Kryegjyshatës, si një shembull i mbështetjes së dialogut ndërfetar dhe të vlerave të përbashkëta.
Vizita vijoi me një tur në Qendrën multifunksionale “Odeon”, ku përfaqësueset e ambasadës patën mundësinë të vizitojnë muzeun bektashian, bibliotekën, arkivin, fonotekën dhe fototekën, duke u njohur më nga afër me trashëgiminë e pasur kulturore dhe shpirtërore të këtij besimi.