Tiranë, 28 prill 2025 – Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj zhvilloi sot një takim të veçantë kortezie me Ambasadoren e Austrisë në Shqipëri, Sh.S.Znj. Monika Zach. Takimi u mbajt në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, duke shënuar një moment të rëndësishëm të dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar.
Gjatë bisedës, Kryegjyshi e njohu Ambasadoren Zach me historinë e pasur të bektashizmit, me veçanti të ardhjes së Qendrës Botërore të këtij tarikati nga Turqia në Shqipëri, si dhe me rrugëtimin e komunitetit bektashi ndër shekuj. Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të Bektashizmit në promovimin e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri, një vlerë e njohur dhe e vlerësuar edhe në arenën ndërkombëtare.
Në vijim të vizitës, Ambasadorja austriake u shoqërua në Qendrën Multifunksionale “Odeon”, ku pati mundësinë të vizitojë Muzeun e Bektashizmit. Ajo u njoh me pavionet historike që pasqyrojnë periudha të ndryshme të historisë së bektashizmit, si dhe me kontributin e klerikëve bektashinj në shoqërinë shqiptare dhe në skenën globale.
Ambasadorja Zach shprehu vlerësimin e saj për traditën e pasur shpirtërore të bektashizmit dhe rolin e rëndësishëm që luan në ruajtjen e paqes dhe dialogut ndërfetar në Shqipëri. Ajo theksoi rëndësinë e ruajtjes së këtyre vlerave në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar.
Ky takim përforcon edhe një herë angazhimin e Kryegjyshatës Botërore për të qenë një urë lidhëse midis komuniteteve dhe kulturave, duke ndërtuar ura mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë.
Përgatiti: XH. ÇULLHAJ