KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE, SHENJTËRIA E TIJ, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ, MERR PJESË NË KONFERENCËN SHKENCORE, “VEÇORI TË LUFTËS ANTIFASHISTE NË KRAHINËN E SKRAPARIT ” (1942-1944)

Ditën e sotme, 20 janar 2023, në sallën ‘Aleks Buda’ të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ishte i pranishëm dhe përshëndeti në Konferencën Shkencore, “Veçori të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare në krahinën e Skraparit, 1942-1944”.
Konferenca që nisi në orën 10:00 të kësaj dite, organizohej nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Bashkia Skrapar. Fjalën e mirëseardhjes, e mbajti akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave, ndërsa përveç Kryegjyshit Botëror Bektashian, përshëndetën dhe Adriatik Maka, Kryetar i Bashkisë Skrapar; Bledar Çuçi, Ministër i Brendshëm dhe Nasip Naço, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Ndër të tjera, në përshëndetjen e Tij, Dede Edmond Brahimaj, theksoi: “Duke ju falenderuar për ftesën e bërë është rasti i mirë të themë se Skrapari ka një histori të tërë të mrekullueshmë në shekuj për çështjen e mbrojtjes së vatanit të tij dhe kombit tonë. Pa dyshim roli i bektashinjve si në Rilindjen Kombëtare, shpalljen e Pavarësisë dhe në luftën e Parë dhe të Dytë Botërore ishin bështetësit në këto luftra. Me moton “Pa Atdhe nuk ka fe”. Çeta e Parë e Skraparit u mbështet nga teqeja e Kulmakut në Tomorr e drejtuar nga baba Ali Tomorri, mori bekimin e tij. Sigurishtë historia të shkruhet ashtu sic kanë ndodhur ngjarjet dhe historianët specialistët të thonë fjalën e tyre për historinë e Skraparit. Urime dhe sukse. Zoti ju bekoftë!
Në vijimësi kumtuan: Paskal Milo me “Roli dhe vendi i Skraparit gjatë Luftës së Dytë Botërore”; Marenglen Kasmi me “Marrëeshja e Beratit, shtator-tetor 1943 në dritën e dokumenteve arkivore gjermane”; Pëllumb Xhufi me “Dilemat tragjike të një nacionalisti të majtë. Rasti i Xhelal Staraveckës”; Ajet Shahu & Zylyftar Bregu me “Çeta e Parë Partizane e Skraparit dhe komandanti i saj, Mestan Ujaniku”; Asllan Zemani me “Organizimi ushtarak i Ballit Kombëtar në zonën e Skraparit gjatë Luftës së Dytë Botërore” dhe Anila Basho & Sadik Xhaferri me “Kontributi i Skraparit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare: ngjarje, data, vende”.

Përgatiti:
Nuri ÇUNI

Fotot:
Nuri ÇUMANI