Ditën e djeshme, më datë 19 nëntor 2018, një delegacion prej rreth 200 vetësh, shoqëruar nga Kryegjyshi Botëror, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u pritën në një dëgjesë nga Papa Françesku, me rastin e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar. Duke folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Vatikanit kreu kishës katolike u shpreh se ajo karakterizohet nga një lidhje e vjetër e miqësisë dhe traditës së marrëdhënieve dhe se Shqipëria është vendi i historisë së lashtë dhe të lavdishme.
Papa nënvizoi se Gjergj Kastrioti Skënderbeu “mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishter, aq sa të meritonte titullin ‘Athleta Christi’, “Atleti i Krishtërimit”.
“Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht”.
Duke kujtuar të shkuarën, Papa Françesku u ndal edhe te e ardhmja. Ati i Shenjtë nxiti shqiptarët për më shumë impenjim për zhvillimin e vendit, si një detyrim për brezat e rinj. Papa nënvizoi “shqiptarinë” e Pashko Vasës, i cili e përdori këtë term për të “treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte gjithë shqiptarët, përtej dallimeve fetare.
“Bashkëjetesa paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkasin feve të ndryshme, është rrugë, e cila mund të përshkohet konkretisht, sjell harmoni dhe çliron forcat më të mira e krijimtarinë e mbarë popullit, duke e shndërruar bashkëjetesën e thjeshtë në bashkëpunim e vëllazërim të vërtetë”.