Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj ishte sot i pranishëm në veprimtaritë përkujtimore të 140-vjetorit të Lidhjes historike të Prizrenit, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut ku ndër të tjera tha:
"I përjetshëm qoftë kujtimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!
E paharruar jeta dhe vepra e themeluesve dhe drejtuesve të saj!
Zoti bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe mbarë shqiptarët kudo në botë!, Amin!”
Por çfarë dihet mbi këtë datë të shënuar?
Përpara se të tërhiqeshin nga Kosova, pas bombardimeve të NATO-s, serbët menduan t’i vinin zjarrin shtëpisë ku u themelua Lidhja e Prizrenit.
E pavarësisht asaj ngjarjeje, ajo shtëpi ngre krye edhe sot dhe jeton në kujtimet e çdo shqiptare, pasi pikërisht aty do të hidheshin bazat e kombit modern shqiptar, duke shkruar kështu historinë e Shqipërisë përpara pavarësisë.
Më 10 qershor të vitit 1878, në Prizren u takuan krerët e të gjithë rajoneve shqiptare, pa dallime fetare.
Asokohe, kërcënimet ishin të shumta. Traktati i Shën Stefanit i nënshkruar mes Rusisë dhe Turqisë, nuk e llogarisnin ekzistencën e Shqipërisë. Toka shqiptare ndahej mes shteteve fitimtare si të ishte send shpërblimi.
Por, 300 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën në Prizren, mes të cilëve Ahmet Koronica, Abdullah Pashë Dreni, Shaban Prizreni, Zija Prishtina, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra, Abdyl Frashëri, e shumë të tjerë, duke zgjedhur si president anëtarin më të vjetër, Iljaz Pashë Dibrën.
Të gjithë të pranishmit do të rakordonin ruajtjen me çdo kusht të integritetit territorial të Shqipërisë.