KRYEGJYSHI BOTËROR PËRSHËNDET MONSINJOR ANGGELO MASAFRËN, NË CEREMONINË E DHËNIES SË CERTEFIKATËS, “MIRËNJOHJE E MARTIRËVE TË LIRISË”

Në aktivitetin e zhvilluar më 22 maj 2024, në Muzeun e Kujtesës, në Shkodër, në ceremoninë e nderimit me certefikatën e nderit, “Mirënjohje e Martirëve të Lirisë”, për Shkëlqesinë e Tij, Monsinjor Angelo Masafra, Arkipeshkv i Dioqezës Shkodër-Pult, me mjaft interes u prit dhe përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Në këtë aktivitet, përshëndetën dhe klerikë të besimeve të tjeër fetarë, bashkëvuajtës të Monsinjor Masafrës dhe personalitete të tjerë të pranishëm.
Aktiviteti u organizua dhe u moderua nga Besim Ndregjoni, “President i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”. Për arsye të angazhimeve të para planifikuara, përshëndetjen e Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimaj, përshëndetja e Tij, iu përcoll të pranishmëve, nga Dervish Hasan Carkanji.

Në përshëndetjen e Kryegjyshit Botëror, ndër të tjera thuhet: “… Në emër të Zotit fuqimadh e mëshirëshumë! I nderuar vëllai im Monsinjor Masafra, Arqipeshkev i Dioqezës Shkodër Pult! I nderuar z. Besim Ndregjoni, President i Unionit mbarëkombëtarë i integrimit të të burgosurve dhe të përndjekurve politikë të Shqipërisë! Të nderuar pjesmarrës , dashamirës dhe vlerësues të palodhur të punës me përkushtim të Monsinjor Masafrës.
Dëshira për të qenë i pranishëm ishte shumë e madhe por në pamundësi për të qenë mes jush, për shkak të obligimeve të detyrës dhe Konferencës Ndërfetare në Bruksel, po them disa fjalë zemre për vëllain, bashkëpunëtorin e njeriun misionar të fesë katolike Monsinjor Masafrën.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane, dhe unë si titullar i saj kam qenë dhe jam i privilegjuar që kam bashkëpunuar dhe kemi ecur së bashku , në shumë rrugë të mundimshme, herë herë të errëta duke mos ditur çfarë na pret përpara, por me ndihmën e Zotit të Lartë ja kemi dalë. Monsinjor Masafra në kujtimet e mia të hershme është si sot, një arbëresh misionar i paqes, dhembshurisë, dashamirësisë, urtësisë , predikues i vlerave më të larta njerëzore, e mbi të gjitha një njeri me zemër të madhe, brenda së cilës ka shumë përkushtim ,dashuri e ndjenjë solidariteti për këdo që është në nevojë pavarësisht besimit që e karakterizon.

Të japësh një përshëndetje për këtë njeri të lartë e me vlera është përgjegjësi, për shkak se përkushtimi i Tij i devotshëm nuk ngelet vetëm tek kontributi i tij në mbështetjen e të përndjekurve politikë dhe përkujtimi e lutja në vendet e vuajtjes së dënimit të tyre, por në shumë sfera tepër me rëndësi për jetën njerëzore të përkohshme në të cilën po jetojmë. Monsinjori i Shqiptarëve, sepse kështu kam dëshirë ta quaj, pavarësisht nacionalitetit të tij dhe vendit ku shërbeu, ju përkushtua me shumë dashuri, fëmijëve në nevojë për shkollim dhe dije, nënave të reja pa përkrahje dhe mbështetje me ndihma, familjeve në nevojë pavarësisht besimit, refugjatëve të strehuar në Shqipëri, kësaj kishe me mozaike kaq domethënëse ku ai shërbeu për vite me radhe, e muzeut aq interesant si një pikë e vyer turistike që projektoi jo vetëm për Shkodrën por me vlerë historike për t’u vizituar nga të gjithë Shqiptarët e të huajt.
Mesazhet e tij aq të çmuara, për çdo problematikë nëpër të cilën ka kaluar dhe vazhdon të kalojë Shqipëria, e drejta e fjalës, e votës, e jetës, marrëdhënie martesore të drejta, mbrojtjen e familjes, uljen e toneve të larta të politikës, të drejtat e gruas dhe barazia gjinore, të drejtat e fëmijëve për një jetë të qetë dhe të mbrojtur.
Bashkëpunimet ndërfetare, kanë qenë përherë një vlerë e shtuar kur Monsinjor Masafra ka dhënë mendime për zgjidhje , shumë problematikave të përbashkëta që na shqetësojnë të gjithëve ne, komunitet fetare në Shqipëri. Kemi udhëtuar së bashku në shumë problematika, vështirësi, por ja kemi dhënë dorën njëri tjetrit si vëllezër të një misioni të Shenjtë e jemi munduar të jemi aty kur besimtarët kanë pasur dhe kanë nevojë për ndihmën tonë.
E pra të dashur miq të Monsinjorit, nëse do ti japim një vlerësim këtij personaliteti të lartë , merita e tij është e pakufishme , sepse në vuajtjet e shqiptarëve ky personalitet është ulur këmbëkryq për ti zgjidhur e për ti kaluar me ne, si shqiptarë e më tepër se aq.
Çfarë unë kam parë tek kjo figurë tepër e dashur për të gjithë ne ka qenë një veçori që jo të gjithë e mendojnë, çdo ditë e jetës kalon ashtu sikundër retë, dhe në këtë jetë të përkohshme dhe në misionin e shenjtë që i është dhënë ky misionar ka bërë vetëm mirë dhe veprat e tij të vyera kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë e shqiptarëve.
Urime e përgëzime për titullin e lartë “Mirënjohje e Martirëve të Lirisë” Monsinjor Masafra, jetë të gjatë me bekime nga Zoti! Udhët tona do të vijojnë të jenë në një linjë sepse Zoti na do të pandarë e besimtarët kanë nevojë për ne! Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!”

Koresp., i revistës “Urtësia”