KRYEGJYSHI BOTËROR, SHENJTËRIA E TIJ, DEDE EDMOND BRAHIMAJ, DHURON NDIHMA USHQIMORE PËR FAMILJET NË NEVOJË

Ndihma e ditës së djeshme, 6 prill 2023, në artikuj ushqimor, dhuruar nga Selia e Shenjtë Bektashiane në Tiranë, ka pasur si objekt familjet në nevojë, të strehuar në banesat sociale, të minibashkisë Nr.1 në Tiranë.
Në emër të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ndihmat u dërguan nga dervish Hasan Carkanji dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Nuri Çuni. Ato u pritën nga Ornela Telo, Përgjegjëse e Banesave Sociale në Njësinë Administrative Nr.1.
Dervish Hasani, përcolli mesazhin e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, për gjithë familjarët e Banesave Sociale, për më shumë shëndet, dashuri dhe vëllazëri në bekim të Muajtit të Madhërueshëm të Ramazanit.
Zonja Telo falënderoi Kryegjyshin Botëror Bektashian për ndihmat, të cilat sipas saj, kanë qenë të vazhdueshme për shtresat në nevojë.
Nga burime të Selisë së Shenjtë, mësohet se në vijimësi, veçanërisht në ditët e Ramazanit, bektashinjtë do të japin ndihma, jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe të tjera të vendit.

Fotot:
Ardian KOXHERRI