KRYEGJYSHI BOTËROR, SHENJTËRIA E TIJ, HAXHI DEDE BABA, EDMOND BRAHIMAJ, PRET NË TAKIM MINISTRIN E BRENDËSHËM Z. ERVIN HOXHA

Ditën e premte, më 7 mars 2025, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj priti në një takim të veçantë Ministrin e Brendshëm z.Ervin Hoxha.

Gjatë kësaj vizite, Kryegjyshi e njohu Ministrin Hoxha me historinë e Bektashizmit, traditën, dialogun e tolerancën fetare ndër vite në Shqipëri, punën dhe veprimtarinë e Komunitetit Bektashian në shërbesë të përmirësimit të edukimit, bashkëjetesës dhe harmonisë fetare. Njëkohësisht, Kryegjyshi, bëri edhe një panoramë të gjerë të vlerave fetare për demokraci, luftë parimore ndaj radikalizmit e çdo lloj ekstremizmi, që është në kundërshtim me paqen, mirëqenien dhe vlerat demokratike të shoqërisë shqiptare.

Fokusi i bisedës kishte të bënte me bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërinstitucional, vëmendjen dhe mbështetjen e policisë së shtetit ndaj aktiviteteve e pelegrinazheve që zhvillon Kryegjyshata Botërore Bektashiane.

Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj e falënderoj ministrin Hoxha, duke i shprehur një mirënjohje të thellë për këtë vizitë dhe vlerësimet që dha për Komunitetin Bektashi, Kryegjyshatën Botërore dhe rolin e klerikëve në vite.

Gjithashtu, ministri Hoxha zhvilloi edhe një vizitë në ambientet e Selisë së Shenjtë, Odeon; Muzeun e Bektashizmit, Bibliotekën, Fototekën dhe mjedise të tjera, ku Kryegjyshi dhe specialistët përkatës, i shpjeguan dhe i’u përgjigjën me detaje interesit të tij.