KRYEGJYSHI BOTËROR, SHENJTËRIA E TIJ, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ MERR PJESË NË CEREMONINË E 31 VJETORIT TË SHOQATËS ATDHETARE-KULTURORE “LABËRIA”

Ditën e hënë, më 26 dhjetor 2022, në sallën e Akademisë së Shkencave, në Tiranë, Kryesia e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit”, kremtoi 31 vjetorin e krijimit të Shoqatës.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; Kryetari i Akademisë së Shkencave Prof. Skënder Gjinushi; Ambasadori i Kosovës, z. Skënder Durmishi; N/Kryetar i Bashkisë Tiranës, z. Andi Seferi; Rektori i Universitetit “Luarasi”, Prof. Et’hem Ruka.
Midis pjesëmarrësve kishte shumë deputetë, Kryetar të Bashkive, profesorë, artistë dhe personalitete të shquara të Labërisë. Nuk mund të mungonin përfaqësues nga organizatat dhe Shoqatat homologe.
“Që nga 12 dhjetori 1991, Shoqata Atdhetare-Kulturore Labëria ka qenë një model i shkëlqyer në mbrojtje të vlerave atdhetare, emancipuese, kulturore, mendimit të lirë dhe intelektual! Kjo dhe falë pasionit e seriozitetit të kryetarëve dhe të gjithë ekipit drejtues ndër vite!
Shoqata “Labëria”, ka ditur të jetë gjithmonë në mbrojtje të interesit kombëtar, duke mbajtur qëndrime koherente dhe në përputhje me vlerat patriotike që përfaqëson!
I uroj edhe shumë vite e përvjetorë të tjerë të suksesshëm Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria” “Nderi i Kombit”! “ – tha ndër tjera Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Gjatë ceremonisë u ndan disa dekorata, tituj nderi nga shoqata “Labëria”.
Gjithashtu, për të gjithë të pranishmit u mbajt një koncert: Grupi polifonik i Pilurit, Grupi “Krenaria labe”, këngëtarë nga Malsia e madhe dhe Lezha…
Në mbyllje, koktej për të ftuarit.