Ditën e shtunë, më 12 gusht 2023, me ftesë të Ministrit të Kulturës të Turqisë z. Mehmet Nuri Ersoj, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj mori pjesë në ceremoninë e përkujtimit të 752-vjetorit të kalimit nga jeta të Pirit Bektashian, Haxhi Bektash Veliut.
Në këtë aktivitet, merrnin pjesë edhe shumë personalitete të lartë, diplomatë, klerikë dhe besimtarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe më gjerë.
Përgjatë këtij organizimi u kryen vizita në tyrben e Haxhi Bektashit, Pir Ballëm Sulltanit dhe të gjithë shenjtorëve e shërbëtorëve në Haxhi Bektash, si edhe takime të rëndësishme, siç ishte edhe mikpritja e ngrohtë nga ana e Ministrit të Kulturës dhe Kryetarit Organizativ të Turqisë.
Gjatë takimit u diskutua për disa çështje me rëndësi fetare – kulturore, në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjelltë midis Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe institucioneve shtetërore në Turqi.
Në ceremoninë përkujtimore, fjalën e hapjes e mbajti Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan i cili në një transmetim direkt me një ” video call ” pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit, përkujtoi me fjalë të larta veprën dhe figurën e Haxhi Bektash Veliut. Ai përmendi dhe nënvizoi gjithashtu që, Haxhi Bektashi është një shtyllë e unifikuar jo vetëm për popullin turk por, edhe për gjithe botën mbarë.
Po ashtu, edhe ministri i kulturës përgëzoi besimtarët dhe vlerësoi figurën dhe veprën e lartë të Haxhi Bektash Veliut.
Në këtë event pjesëmarrës ishin edhe zv. Presidenti i Republikës së Turqisë z. Cevdet Yılmaz dhe Ministri i Brendshëm z. Ali Yerlikaya.
Pas përshëndetjeve të rastit, ceremonia vazhdoi me një shfaqje nga ansambli muzikor shtetëror i Turqisë ku u kënduan edhe disa nefese dhe gazele bektashiane, për hirë të Haxhi Bektashit dhe pirit të dytë të bektashizmit Ballëm Sulltanit.
Nuk mungoi gjithashtu dhe një shfaqe teatrale, nga teatri bektashizmit i Turqisë, ku u shfaq në mënyrë figurative ardhja e Haxhi Bektashit në Anadoll dhe veprimtaria e tij si shenjtor i shenjtorëve në këto troje.
Ne fund, ceremonia u mbyll me fjalimin e zv.Presidentit të Turqisë z. Cevdet Yilmaz, i cili pasi falenderoj pjesëmarrësit, vlerësoi me fjalët më të larta dhe rikujtoi mësimet që duhen marrë nga Haxhi Bektashi, ku në mënyrë të veçantë u ndal dhe citoi fjalën e madhe, ku Haxhi Bektashi thotë: “…të bëhemi një, të bëhemi të fortë dhe të lartësohemi shpirtërisht së bashku”.
Pas ceremonisë, Kryegjyshi Botëror, në darkën e veçantë të organizuar nga Kryetari Organizativ, i falenderoj për ftesën, mikpritjen dhe respektimin e udhëheqësit tonë, Pirit Haxhi Bektash Veliut dhe ftoi ministrin dhe të gjithë personalitetet atje, që të vizitojnë Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, në Tiranë.