Ditën e sotme, më 15 qershor 2023, besimtarët bektashi të zonës së Bubësit në Bashkinë e Këlcyrës, përkujtuan së bashku me Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Baba Aliun, një prej përfaqësuesve më të ndritur të këtij besimi në këto anë, në këtë ditë pelegrinazhi që përkon edhe me 16-vjetorin e riçeljes së kësaj teqeje.
Në përshëndetjen e rastit, Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj, përveç urimeve dhe bekimeve për të gjithë besimtarët, ndërtë tjera shprehu edhe një falenderim të veçantë për familjen Zaimaj.
“Të nderuar besimtarë bektashianë, motra dhe vëllezër të Bubësit dhe krejt krahinës së bekuar të Përmetit!
Të nderuar familjarë të Zaimajve, që i keni dhënë dhe jepni dita-ditës, shkëlqimin e merituar, kësaj teqeje të hershme të Haxhi Bektashit, përballë malit të Tomorrit!
Zoti i Lartësuar, dymbëdhjetë imamët e dëlirë, Haxhi Bektash Veliu dhe kujtimi i vyer i baba Aliut të Bubësit, u qofshin kurdoherë ndihmë dhe dritë në udhëtimin tuaj shpirtëror!”