Ditën e premte, më 4 Maj, në kuadër të vitit kalendarit kushtuar Heroit tonë Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeut” dhe “Ditës së Evropës” u organizua ekspozita e parë me dorëshkrimet e vjetra fetare të të gjitha besimeve të vendit tonë në ambientet e ish-vilës së diktatorit komunist në Tiranë. Në këtë aktivitet morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, Ambasadorja e Delegacionit Evropian në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi, krerët e komuniteteve fetare të vendit tonë, përfaqësues të trupës diplomatike, botës akademike, medias etj. Ekspozita e titulluar “Përmes një urtësie të pashuar” përmbante në vetvete elementët identitarë të ruajtur ndër vite të besimeve fetare të vendit tonë siç janë dorëshkrimet dhe botimet më të vjetra dhe më të rralla që kanë të bëjnë me traditat e ndryshme shpirtërore dhe filozofike në Shqipëri (shekujt 6-19) nga Arkivat Qendrore të Shtetit. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, theksoi rëndësinë e reformave në zhvillimin jo vetëm ekonomik dhe industrial të vendit por edhe në atë kulturor, fetar e identitar të tij. “Gjatë pothuajse 15 shekujsh, identitetin tonë kombëtar e kanë skalitur në pergamena, dorëshkrime, vëllime e shtypshkrime 3 tradita të mëdha, ajo filozofike, laike dhe shpirtërore. Kjo është një trashëgimi e thellë kulturore. Një rrëfim unik i Shqipërisë së vlerave dhe qytetërimit i cili i bën jehonë pikërisht Evropës brenda nesh.”- tha z. Rama gjatë fjalës së tij.
Ndërsa znj. Vlahutin, në fjalën e saj u shpreh mirënjohëse për çaste të tilla si organizimi i kësaj ekspozite, pasi është inkurajuese të na kujtohet bashkimi ynë në një vend që ka mbijetuar dhe i ka rezistuar vështirësive të tilla si ato të Shqipërisë dhe ka arritur të ruajë, mbrojë dhe kremtojë thelbin e identitetit të saj evropian. “Ekspozimi i sotëm i dorëshkrimeve të rralla është një tjetër dëshmi e harmonisë historike të ekzistencës së bashkësive të ndryshme fetare dhe të shkollave filozofike të mendimeve në këtë vend. Ai konfirmon, nëse ka pasur ndonjëherë nevojë për konfirmim, se sa shumë ndajnë shqiptarët me familjen evropiane në rrënjët tona të përbashkëta.”- tha ajo.
Në përfundim të aktivitetit, Kryeministri Rama, ju dorëzoi përfaqësuesve të Komuniteteve Fetare, që kanë marrë pjesë në Marshimin e Parisit, në vitin 2015-, “Medaljen e Mirënjohjes së Kryeministrit” . Ishte i pranishëm edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili gjatë marrjes së medaljes, falenderoj Zotin Kryeministër për këtë mirënjohje dhe tha: “Uroj që ne, të gjithë së bashku, do hyjmë në Europë si gjithë Kombet e tjera. Gjithashtu Bekoj dhe Uroj qofshi Dritë, Zoti na bekoftë të gjithëve, Amin!”.