KRYHEN RITET E 40 DITËVE TË NDARJES NGA JETA, TË MYHIBES MERUSHE BRAHIMAJ

Ditën e mërkurë, 11 shtator 2024, në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, në Tiranë, u kryen ritet përkatëse të mbushjes së 40 ditëve të ndarjes nga kjo jetë, të myhibes, Merushe Brahimaj, nëna e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Që nga mëngjesi i kësaj dite, Kryegjyshi Botëror priti në Seli, ngushëllime nga miq e të afërm të shumtë, që erdhën për këtë ditë përkujtimore të shënuar. Në orën 19:00, para darkës, të ardhur të shumtë, ndoqën nëpërmjet monitorit, në mjediset e jashtme të Selisë së Shenjtë, një dokumentar kushtuar jetës dhe aktivitetit të Myhibe Brahimajt, përgatitur nga gazetari i njohur, Ferdinand Samarxhi, ‘Nderi i Kombit’.