Imam Aliu është i biri i Abu Talibit, të birit të Abdyl Mytallibit, nga fisi Hashimi. Është Imami i parë dhe i ati i 12 imamëve. Ka shumë mbiemra dhe tituj, për të cilët më të përmendur janë: Myrteza, Hajdër, Essedull-llah, Galip, Ebu Turabë, Shahi Merdan, Shiri Jezdan dhe Shahi Vilajet. Imam Aliu ka lindur 11 vjet para se t’i vinte Profetësia e Profeti Hazretit Muhammed, d.m.th., 23 vjet para emigrimit, më 22 mars të vitit 600 pas Krishtit, që është ditë e madhe Nevruz, e 13-ta e Hënës të Muajit Arab Rexhep, ditën e premte. Ka lindur brenda në shtëpinë Hyjnore Qabe. Këtë e ka vërtetuar edhe Qeshfiu, duke thënë: “Detyrimi i vizitimit të Qabesë, është bërë vetëm e vetëm se është lindur Aliu, i biri i Ebu Talibit. Është i katërti djalë i Abu Talibit. E ëma e tij quhet Fatime e bija e Esedit Hashimit. Pas të nderuarës Hatixhe, është i dyti që e vërtetoi dhe e besoi Profetin Hazretin Muhammed, në atë kohë 13 vjeçar. Kur ka emigruar Profeti Hazreti Muhammed për në Medine, Imamin Ali e ka lënë në Mekë dhe e ka porositur që të flinte në shtratin e tij, duke i lënë dhe disa amanete për besnikët që mbetën atje. Të nesërmen, pasi i dha porositë, pa e marrë vesh Myshrikët (kundërshtarët), është nisur për në Medine me gjithë fëmijët. … Në të gjitha luftërat që janë bërë në kohën e Hazretit Muhamed, ai është dalluar për trimërinë që është vërtetuar me fjalën Hyjnore: “S’ka trim përveç Aliut, s’ka shpatë përveç Zylfikarit!”; Vetëm në luftën e Yhydit, ai ka marrë 16 plagë të rënda. Në këtë luftë, Profetit Muhammed, i ka zbritur Xhibrili, në rrethimin që i është bërë dhe i ka thënë: “Thirr Alinë për ndihmë dhe ja ka mësuar për herën e parë Nadi Alinë”.
Në shumicën e luftërave, ai ka qenë flamurtar. Për meritat e Imami Aliut, ka shumë ajete kuranore të madhërueshme dhe me fjalë profetike të panumërta. Pas vrasjes së Osmanit në vitin 35-të të emigrimit, njëzëri, është zgjedhur Imam, Halife. Më parë nga të gjithë të tjerët, i kanë dhënë dorën dhe e kanë vërtetuar, Telhaj dhe Zyberi. Siç shkruajnë historianët, Imam Aliu nuk la mënyrë dhe përpjekje pa bërë për të ndaluar gjakderdhjen e vrasjen, por kjo qe e pamundur. Pas një kohe, nga dhelpëritë dhe intrigat e kurdisura prej të pabesit Mavije, të birit të Ebu Syfjanit, Telhaj dhe Zyberi thyen besën duke marrë me vete dhe Aishen dhe shkuan në Basra për të mbledhur fuqi, duke pretenduar se do të kërkojnë gjakun e Osmanit, gjë e cila ishte fare pavend. Imam Aliu takon për herën e parë Ebu-Ej-jubi Ensarin, për ta këshilluar që të heqin dorë nga kjo vëlla-vrasje. Por mjerisht, s’qe e mundur t’u mbushte mendjen. Kështu dërgoi dhe disa delegatë të tjerë e, më në fund Imami Hasanin, por dhe kjo qe e kotë. Krisi lufta, në të cilën u vranë Telhaj, Zyberi dhe Aisheja u zu rob. Aishen e dërgoi në Medine me anën e vëllait të saj, Muhamedit të birin e Ebu Beqirit. Kjo luftë quhet lufta e Qomelit (e Deves). Mavija i mallkuar, gjeti rast dhe mblodhi një fuqi të madhe me parullën (“Kërkojmë gjakun e Osmanit!”) dhee sulmoi qytetin e Qofes, të cilin Imami Aliu, e kishte bërë si kryeqytet. Imami Aliu i dërgoi disa herë delegatë që të mos bëhet shkak të vriten myslimanët njëri me tjetrin, por ishte e pamundur që ai të hiqte dorë, pasi e shtynte i mallkuari, Amri Beni Asi.
Imam Aliu dërgoi një ushtri nën komandën e besnikut dhe trimit të madh Maliq Eshderit, i cili e mundi ushtrinë e Mavijes. Por Mavija, përveçse mobilizoi një ushtri të madhe, zuri dhe ujin e lumit Eufrat, për të mos pirë ujë ushtria e Imamëve. Në vitin 30 të emigrimit, filloi lufta e përgjakshme, në vendin e quajtur Saffejn. Lufta vazhdoi 100 ditë rresht, në të cilën janë zhvilluar më tepër se 90 beteja. Janë vrarë prej ushtrisë së Imamit, 25.000 vetë dhe prej ushtrisë së të mallkuarit, 45.000. Shuma e të vrarëve në këtë luftim, ishte 70.000 vetë. Në këto luftime shumë nga shokët e Profetit Hazretit Muhammed, kanë mbetur të vrarë. Midis tyre, ka mbetur i dhe Amri, i biri i Jasirit, për të cilin Profeti Muhammed, në gjallërinë e tij kishte thënë : “Amri do të bëhet dëshmor nga ana e një ushti rebele, që nuk ka të bëjë me besimin mysliman!.”
Kur mori vesh ushtria e të mallkuarit Mavije se ra dëshmor prej dorës së tyre Amri, i biri i Jasirit, filloi të shpërndahej dhe zunë të dezertojnë. Por i mallkuari, me dinakëritë e tij të poshtra, i bindi duke ju thënë disa gënjeshtra.
…Në vitin 38 të emigrimit, filloi lufta dhe përfundoi me shkatërrimin e krejt Harrixhinjve, shumica e të cilëve u vranë. Ata që mbetën, u arratisën. Mavija dhe i deleguari i tij Amri nuk lanë djallëzi papërdorur, kurse imami Aliu ndiqte gjurmët e Hazretit Muhamed pikërisht pse është i vetmi njeri në botë, që s’ka gënjyer asnjë njeri për të përfituar politikisht ose ekonomikisht. Imami Aliu mundohej gjithmonë të bindte Mavijen me këshilla e letra, kurse Mavija me dhelpëritë e tij, dërgonte njerëz në Egjipt, Hixhazë, Jemen e të tjera vende dhe i gënjente me premtim gradash e të hollash.
..Në vitin 40 të emigrimit të 19, ditë të Ramazanit, duke qenë imami Aliu në xhami të Qofes dhe duke u falur mëngjesi, me një shpatë të helmatisur i ra krimineli, i quajtur Bdurr-rrahman Mylxhemi dhe e plagosi rëndë. Pas dy ditëve nga kjo plagë ndërroi jetë.
…Imami Aliu ishte bujar, i drejtë, i gjykueshëm, i urtë e shumë i mëshirshëm, fytyrë qeshur, trim, i ditur, orator, vjershëtar. Në kohën e tij sipas besimit tonë, as ka pasur as do të ketë në faqen e dheut një njeri që ti ketë përmbledhur të gjitha virtytet si personi i Tij. Ka shumë vepra të mira mrekulli e Shenjtëri, ndër të cilat vetëm pak janë të publikuara e të tjerat ruhen nga besnikët e tij të cilët i ruajnë dhe i respektojnë si sot e mbas kësaj.
Kur ra dëshmor, Imam Aliu ishte në moshën 63 vjeç.
Përgatitën:
Nuri ÇUNI
Kujtim BORIÇI