Kurban Bajrami. Dede Edmond Brahimaj pret personalitete fetarë e shtetërorë, diplomatë e besimtarë.

Ditën e djeshme, 20.07.2021, në ditën e Kurban Bajramit, Kryegjyshi Botërorë Bektashian, Shenjtëria e Tij,  Haxhi Dede Edmond Brahimaj, priti në Selinë e Shenjtë në Tiranë personalitete fetarë e shtetërorë, diplomatë e besimtarë të shumtë.  Ndërkohë, për të uruar për Kurban Bajramin, kishin ardhur dhe besimtarë të shumtë nga Tirana e qytete të tjerë të Shqipërisë, nga Kosova, Maqedonia Veriore dhe vende të tjera ku jetojnë e punojnë komunitete besimtarësh bektashian.
Dede Edmond Brahimaj priti ndër të tjera në këtë ditë të shënuar Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, zëvëndës Ambasadorin e Bullgarisë në Tiranë, Ambasadorin e Rusisë, Ambasadorin e Spanjës, Ambasadorin e Gjermanisë etj. Selinë e Shenjtë e vizituan dhe u pritën nga Kryegjyshi Botëror Bektashian dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë; Përfaqesues i Kishës Ortodokse Autoqefale, Hirësi Asti; Nunci Apostolik; Dom Ariani nga Kisha Katolike; Sekretari i Përgjithshëm i Vëllazërisë Ungjillore; Kryetarja e Komunitetit Shtetëror të Kulteve; Zëvendësdrejtori i Qendrës Kundër Ekstremizmit dhe Radikalizmit etj.
Mbresëlënëse ishte dhe vizita e një grupi të organizuar fëmijësh që erdhën dhe u pritën nga Kryegjyshi Botëror Bektashian.
Miqtë e shumtë, vizituan ndërkohë dhe mjediset e Selisë së Shenjtë, Odeonin, galerinë e arteve, bibliotekën, ekspozitat, muzeun bektashian etj.

Autor i fotove,
Nuri ÇUMANI