LIBRI ‘NEFES-JETA IME”, I KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, DEDE EDMOND BRAHIMAJ, NJË JETË PLOT ADHURIM PËR BEKTASHIZMIN

Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ 

Pak ditë më parë më ra në dorë libri i shkruar nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj (Baba Mondi), me titull “Nefes-jeta ime”. Që nga faqet e para të librit kuptova se nuk kisha përpara thjesht një autobiografi, por një rrëfim shpirtëror, një udhëtim i brendshëm i një njeriu që ia ka kushtuar jetën besimit bektashi, traditës dhe misionit të tij hyjnor.
Baba Mondi në libër jep fytyrën e një lloj pelegrinazhi të shenjtë dhe profeci, ku sakrifica dhe vuajtja janë dritë, ku dashuria dhe begatia janë humanizëm, ku thjeshtësia dhe varfëria janë lartësim hyjnor, ku besimi e bën njeriun më të mirë dhe me vëlla me të tjerët. Jeta e Baba Mondit, e rrëfyer nga ai vet, e shenjuar për të qenë epike, e parashkruar, nis nga familja dhe nga Bratajt në Vlorë.
Baba Mondi, siç del nga ky rrëfim, është një figurë e ndërtuar mbi dashurinë, sakrificën dhe thjeshtësinë. Ai e sheh jetën si një pelegrinazh të shenjtë, ku vuajtja është dritë, varfëria është lartësim, dashuria është humanizëm, dhe besimi e bën njeriun më të mirë e më vëlla me tjetrin.
Libri nis me kujtimet e hershme nga Bratajt i Vlorës, vendlindja e Baba Mondit. Familja, kujdesi prindëror, gjyshi, nëna Merushe dhe babai Hysen Brahimaj, i dhanë themelet e para të edukimit. Shkolla e parë, mësuesit, kujtimet e fëmijërisë, shfaqen si gurët e çmuar të dijes dhe shpirtit. Brataj shfaqet jo vetëm si një vendlindje, por si një oaz dashurie dhe frymëzimi.
Në rrëfimin e tij, Baba Mondi nderon dy figura të ndritura të bektashizmit, dede Ahmetin dhe dede Reshatin, që luajtën rol vendimtar në formimin e tij. Përmes tyre, ai njohu thellësisht mësimet e bektashizmit dhe trashëgoi një vizion të qartë për të ardhmen. Rrëfimi i jetës së tyre, sakrificat dhe mençuria, e bëjnë librin të ketë vlerë dokumentare e shpirtërore njëkohësisht.
Për këta dy klerikë të lartë, mendoj se rrëfimi, formimin dhe veprën e tyre, kohën në të cilën u shfaqën e bën librin një vepër të admirueshme, më dokumentare dhe të lexueshme. Baba Mondi ka prekur madhështinë e dede Ahmetit, tek i cili ishin mishëruar shenjat e shenjtërisë së tij që në lindje të tij, thuhet se dede Ahmeti ra në gjunjë nga barku i nënës, ndërsa herë pas here ai parathotë mrekulli dhe fate njerëzore dhe kohësh. Thotë se Dede Ahmeti ka qenë partizan-antifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e vendit (madje ka pasur dy plumba në trup nga lufta), por edhe pse ishte një njeri me interesa të larta kulturore dhe intelektuale, ai nuk mësoi kurrë italisht, për shkakun se pushtuesit e vendit të tij ishin italianët. Ai ishte mjaft i lidhur me librat dhe leximin, duke i dhënë baba Mondit që në rininë e hershme kulturën e leximit të librave historikë dhe jetësorë.

Përballja me jetën dhe besimin, bektashizmi si udhë mistike dhe humanizëm
Një pjesë e rëndësishme e formimit të Baba Mondit ishte periudha e shkollimit në shkollën “Skënderbej” dhe në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Rregulli, disiplinimi, leximi i letërsisë klasike dhe moderne, puna dhe përulësia e forcuan karakterin e tij. Ky formim iu bashkua trashëgimisë shpirtërore bektashiane dhe e bëri të aftë të përballonte kohë të vështira, siç ishte ndalimi i fesë në periudhën e diktaturës.
Megjithatë, besimi mbijetoi. Baba Mondi sjell me detaje kujtimet e mbledhjeve të fshehta familjare, festimet e ashures, këngët bektashiane, kujdesin për figurën e Imam Aliut dhe për traditën e të parëve. Përmes këtyre rrëfimeve kuptohet se feja nuk është thjesht një ritual, por një mënyrë jete dhe dashurie.
Në libër, Baba Mondi përsërit shpesh se “Bektashizmi është paqe”. Ai e sheh këtë besim si një urë lidhëse mes njerëzve, si një filozofi që tejkalon armiqësitë dhe ndasitë, sepse merret me thelbin e njeriut. Ai përshkruan qartë tri shtyllat e bektashizmit: tarikatin (udhën mistike), marifetin (diturinë) dhe hakikatin (të vërtetën).
Një nga pjesët më të ndjera të librit është rrëfimi për Nënë Rajën, një grua e thjeshtë krutane që shkonte çdo mbrëmje për të ndezur çirakët në Sari Salltik, duke sfiduar terrenin dhe kohën. Ky detaj i vogël, por i madh në domethënie, përmbledh sakrificën dhe përkushtimin e njeriut të thjeshtë ndaj besimit.

Udhëtimi drejt misionit të shenjtë
Figura e dede Reshatit është një tjetër shtyllë e librit. Baba Mondi e sheh atë si një dritë hyjnore-njerëzore, udhërrëfyes dhe shembull të sakrificës e humanizmit. Duke kaluar pranë këtyre figurave të mëdha, Baba Mondi u formua si njeri dhe si klerik, derisa arriti të bëhej Kryegjyshi i 39-të Botëror i Bektashinjve.
Baba Mondi në libër ka një përshkrim dhe meditim të rëndësishëm për udhërrëfyesin e tij drejt detyrës së Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, për dede Reshatin. Këtë, përveç se një klerik të lartë dhe të ditur, e sheh si një dritë të madhe hyjnore-njerëzore, të përkushtuar dhe human, komunikues e të sacrifices, dritë të dijes dhe të humanizmit në jetë.
Nisur nga rrugëtimi jetësor i Baba Mondit dhe i besimit bektashi, kupton dhe mëson njëherësh, në kolonat e personalitetit të tij, që janë: besimtar, njeri i iluminuar, intelektual dhe si një institucion i vendosur përballë kohës. Gjatë leximit të librit dhe të shpjegimit të thellë dhe të qartë kupton se ç’është bektashizmi, ç’janë normat mbi të cilat është përballuar dhe përcjellë në kohë, kupton thelbin e vetë besimit. Ai është për një integrim marrëdhëniesh të njerëzve në kohë, të cilat lidhen me kulturën, dijen, arsimin, doktrina të njohura të bektashizmit. Baba Mondi besimin dhe besimet i ka parë gjithmonë urë marrëdhënie në shoqëri, pasi siç thekson, besimet i kapercëjnë armiqësitë e luftërave, sepse besimi merret me njeriun.
Në fund të librit, kujtesa shkon edhe tek vendet e shenjta të bektashizmit: Ballëm Sulltani në Martanesh dhe Teqeja e Abaz Aliut në malin e Tomorrit, vende pelegrinazhi që nuk mbeten vetëm për bektashinjtë, por janë hapur si ura bashkimi për të gjithë besimtarët.

Një libër me vlerë të veçantë
“Nefes” nuk është thjesht një autobiografi, por një dëshmi e gjallë e besimit, kulturës dhe historisë bektashiane në Shqipëri. Ai është një libër i përulur, pa asnjë shenjë urrejtjeje, edhe pse në të përshkruhen vuajtje dhe sakrifica. Mesazhi i tij kryesor është dashuria, paqja dhe besimi te njeriu. Nëpërmjet këtij rrëfimi, lexuesi kupton se jeta e Baba Mondit është një jetë e ndërtuar mbi adhurimin për bektashizmin, mbi dashurinë për njerëzit dhe mbi përkushtimin ndaj misionit hyjnor. Ky libër është një nga kontributet më të rëndësishme të bektashizmit shqiptar në shoqërinë e sotme bashkëkohore.
Baba Mondi në të gjithë librin dhe rrëfimin e jetës së tij, ruan një refleksion të thellë me familjen, vendlindjen, edukimin familjar, si një tregues bazik i formimit të tij. Gjatë gjithë librit autori theksin e vendos se nuk ka formim të shëndetshëm jashtë familjes, por gjithmonë brenda familjes, prandaj besimi bektashi ka arritur t’u mbijetojë dhe t’i përballojë turbulencat e kohës në të cilat është përballur në jetë.
Libri është shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe të pastër, që e bën më të kuptushëm dhe qartë misionin për të cilin Baba Mondi ka hedhur mbi supet e tij. Libri është një histori e rëndësishme dhe e bektashizmit në Shqipëri, që vjen si dije, besim dhe mision hyjnor dhe shpirtëror për njerëzit. Libri vjen dhe si një doktrinë bektashizmi me norma dhe parime për dritën e madhe hyjnore, të përkushtimit, human, komunikues dhe të sakrificës.

LIBRA TË DEDE EDMOND BRAHIMAJ
-“Hazreti Ali” (Ceremonia e Sulltan Nevruzit);
-“Imam Hyseni (Ceremonia përkujtimore e Imam Hysenit).
-“Nefes-Jeta ime”.
-“Shtrirja gjeografike e Bektashizmit në Shqipëri” (Guidë-enciklopedi), volumi i parë.
-“Shtrirja gjeografike e Bektashizmit në Shqipëri” (Guidë-enciklopedi), volumi i dytë.
-“Për mistikën Bektashiane”(në proces botimi) etj…

“Baba Mondi, siç del nga ky libër, është një figurë e ndërtuar mbi dashurinë, sakrificën dhe thjeshtësinë. Ai e sheh jetën si një pelegrinazh të shenjtë, ku vuajtja është dritë, varfëria është lartësim, dashuria është humanizëm, dhe besimi e bën njeriun më të mirë e më vëlla me tjetrin.”

“Në rrëfimin e tij, Baba Mondi nderon dy figura të ndritura të bektashizmit, dede Ahmetin dhe dede Reshatin, që luajtën rol vendimtar në formimin e tij. Përmes tyre, ai njohu thellësisht mësimet e bektashizmit dhe trashëgoi një vizion të qartë për të ardhmen. Rrëfimi i jetës së tyre, sakrificat dhe mençuria, e bëjnë librin të ketë vlerë dokumentare e shpirtërore njëkohësisht.”

“’Nefes’, nuk është thjesht një autobiografi, por një dëshmi e gjallë e besimit, kulturës dhe historisë bektashiane në Shqipëri. Ai është një libër i përulur, pa asnjë shenjë urrejtjeje, edhe pse në të përshkruhen vuajtje dhe sakrifica. Mesazhi i tij kryesor është dashuria, paqja dhe besimi te njeriu. Nëpërmjet këtij rrëfimi, lexuesi kupton se jeta e Baba Mondit është një jetë e ndërtuar mbi adhurimin për bektashizmin, mbi dashurinë për njerëzit dhe mbi përkushtimin ndaj misionit hyjnor. Ky libër është një nga kontributet më të rëndësishme të bektashizmit shqiptar në shoqërinë e sotme bashkëkohore.”

“…Në libër, Baba Mondi përsërit shpesh se ‘Bektashizmi është paqe’. Ai e sheh këtë besim si një urë lidhëse mes njerëzve, si një filozofi që tejkalon armiqësitë dhe ndasitë, sepse merret me thelbin e njeriut. Ai përshkruan qartë tri shtyllat e bektashizmit: tarikatin (udhën mistike), marifetin (diturinë) dhe hakikatin (të vërtetën).”