Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka zhvilluar më 29 shtator 2023 një vizitë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në kuadër të Zhvillimit të Forumit Ndërfetar Ndërkombëtar me pjesmarrjen e 5 komuniteteve fetare zyrtare në vend dhe me pjesëmarrjen e Këshillave Ndërfetarë të Evropës, ku u pritën edhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Në takimin e zhvilluar në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane merrnin pjesë krerët e Këshillave Ndërfetarë të Europës (Religions for Peace Europe), drejtues të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, anëtarë nga Bordi Ekzekutiv, Departamenti i Gruas dhe Departamenti i rinisë së KNFSH.
Prof. Genti Kruja Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Dr. Luigi de Salvia, Presidenti i Këshillave Ndërfetar të Evropës (RfP Europe), si dhe Prof. Dr. Joan Hernandez Serret, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Europës (Religions for Peace).
Dr. De Salvia, në cilësinë e kryesuesit të delegacioni europian, vlerësoi bashkëpunimin ndërfetar në Shqipëri, si një model për t’u importuar edhe në vendet e tjera të Europës dhe më gjerë. “Respekti i ndësjelltë i feve në Shqipëri është shtyllë e rëndësishme e dinamikave pozitive fetare në Europë sot”, tha ai ndër të tjera. Ndërsa Prof. Serret falenderoi Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë për punën e lavdërueshme që bën.
Gjithashtu Prof. Dr. Elisabeth Naurath, presidente e “Religions for Peace Germany” ka falenderuar Kryegjyshin për kontributin që vazhdimisht jep për tolerancën dhe harmoninë ndërfetare, duke vënë theksin në rolin e paqes dhe dialogut ndërfetar. Ajo ndër të tjera tha se “çdo akt dhune është një blasfemi ndaj krijimit të Zotit”.
Të pranishmit në takim kanë vizituar gjithashtu dhe qëndren multifunksionale Odeonin muzeun, bibliotekën, arkivën ku janë njohur nga afër me historinë 800 vjeçare të bektashizmit.
Delegacioni evropian përbëhej nga presidentët dhe drejtuesit e këshillave ndërfetarë të Shqipërisë, Gjermanisë, Bullgarisë, Britanisë së Madhe, Holandës, Spanjës, Italisë dhe Belgjikës, pjesë e Bordit Drejtues të Këshillit Ndërfetar të Europës (European National Interreligious Bodies, Religions for Peace Europe).
Ata do të qëndrojnë në Shqipëri, ku do të zhvillojnë takime të ndryshme me liderët fetarë, bordet dhe departamentet e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, institucione akademike dhe arsimore në varësi të komuniteteve fetare në vendin tonë, si dhe vizita studimore në disa qytete, ku do të ndalen në objekte të ndryshe kulti.
Organizata “Religions for Peace”, themeluar më 1970 në Nju Jork është institucioni më i madh në aspektin global, i akredituar nga OKB, i cili është i përfshirë në dialogun ndërfetar dhe ndërtimin e paqes në botë. Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i themeluar më 2007 është pjesë e “Religions for Peace” dhe ka një marrëdhënie partneriteti me të, ku anëtarë të bordeve të tij marrin pjesë në Asamblenë e Këshillit Ndërfetar të Europës dhe Asamblenë Botërore të Këshillave Ndërfetarë.
Përgatiti: Xh. ÇULLHAJ