Mesi i muajit Shaban shënon ditëlindjen e Veliut[1] të fundit të Zotit dhe shkëlqimin e diellit të Vilajetit[2] në kohën tonë. Dielli i cili filloi të shkëlqejë me lindjen e Profetit të parë hyjnor në tokë dhe pas vargut të Profetëve të mëdhenj u shfaq në fytyrën e shndritshme të të fundit prej profetëve, Hazret Muhamed Ibn Abdullah. Kjo dritë e vazhdueshme hyjnore dhe pozitë e lartë e Vilajetit në një ditë të bekuar të quajtur Gadir Hum, që është një prej festave më të shquara të ndjekësve të udhës së Ehli Bejtit, me urdhër të Zotit dhe me dorën e vetë Profetit u manifestua në zemrën e Imam Aliut. Gadiri është pikërisht dita kur Hazreti Shahu Merdan , Imam Aliu u shpall përfaqësues i Vilajetit, nga ana e Zotit nëpërmjet Profetit Muhamed.
Hazreti Aliu i cili është personi i dytë nga pesë vetët e Ale Abas[3]_së, u caktua në postin e Vilajetit që mësimin e Hakut ta dëgjojë nga goja e Muhamedit dhe praktikisht të zbulojë vetveten para popullit.
Ai është përmbledhja e Vilajetit të të gjithë profetëve, “Njeriu i përsosur” dhe shembulli i të gjithë ndjekësve të Ehli Bejtit të cilët i nxori nga errësira në dritë.
Nuri i Vilajetit ashtu sikurse iu dha Hazreti Pejgamberit, pas tij, shndriti në shpirtin e Hazreti Shahu Merdan dhe Hazreti Fatimesë, që është nëna e imamëve dhe gjithashtu u shfaq edhe tek Imam Hasani dhe Imam Hyseni.
Megjithëse largimi nga Vilajeti dhe injorimi i mësimeve të së vërtetës, hakut, pra Muhamedit dhe Aliut u bë shkas që njerëzit të binin në errësirën e injorancës, e cila i çoi ata deri në martirizimin e anëtarit të pestë të Ale Aba_së në fushën e Qerbelasë, Imam Hysenit. Por Haku (i Vërteti-Zoti) dritën e Vilajetit të Tij e mbrojti në mesin e familjes së Ehli Bejtit duke e transferuar nga një Imam në tjetrin.
Pas martirizimit të Imam Hysenit, nuri i Vilajetit, ndriçoi tek i biri Imam Ali bin Muhamed Sexhadi, pastaj tek i biri i tij Imam Muhamed bin Ali Bakiri, pastaj tek i bri i tij Imam Xhafer bin Muhamed Sadik, pastaj tek i biri i tij Imam Musa bin Xhafer Qazimi, më pas tek i biri i tij Imam Ali bin Musa Riza, më pas tek i biri Imam Muhamed bin Ali Xhevadi, më pas tek i biri i tij Ali bin Muhamed Hadi dhe më pas tek i biri tij Hasan bin Ali Asqeriu.
Kur të paudhët dhe zullumqarët kishin ndërmend të martirizonin Imam Asqeriun, Haku, nurin e Vilajetit e vendosi në rezervën e fundit të Ehli Bejtit të Profetit Muhamed, tek një bir tjetër nga brezi i Hazreti Shahu Merdan dhe Fatimesë. Hazreti Imam Mehdiu, është Veliu i Allahut i kohës tonë i cili me vullnetin e Allahut do të ruajë deri në fundin e botës dritën e Vilajetit në univers.
Ne, ndjekësit e Ehli Bejtit, duhet të përpiqemi që të ndreqim të metat tona dhe të shkojmë drejt përsosmërisë shpirtërore dhe të dalim nga errësira në dritë. Gjatë këtij udhëtimi kemi gjithnjë nevojë për ekzistencën e “Njeriut të përsosur”, Halifesë dhe përfaqësuesit të Zotit në tokë dhe për një model të pastër, që të mund të jetojmë nën hijen e Vilajetit dhe dashurisë së tij.
Imam Mehdiu, është modeli dhe shembulli i “Njeriut të përsosur”, rrugën e të cilit duhet të ndjekin pasuesit e Ehli Bejtit, që është udha e ndriçimit dhe dritës. Me dashuri dhe vëmendje ndaj ekzistencës së tij , i cili si një diell ngroh shpirtrat dhe zemrat e tyre, i udhëzon ata që të përjetojnë në mënyrë të pastër të jetuari.
Imam Mehdiu është i biri i një gjyshi të tillë si Profeti i Allahut, dhe i një babai si Shahu Merdan, Aliu, dhe i një nëne si Hazreti Fatimeja.
Ai në të vërtetë është abstrakti dhe ekstrakti i Vilajetit dhe hilafetit hyjnor i cili rrodhi në mesin e të gjithë profetëve dhe nga Profeti Muhamed mbërriti te pesë personat e Ale Aba_së dhe më pas rrodhi në vargun e Imamëve dhe evlijave të Allahut dhe u përmblodh te ai. Ai është i përzgjedhuri i pastërtisë të familjes së Ehli Bejtit dhe trashëgimtari i i evlijave të Allahut.
Imam Mehdiu ftesën për besimin në Zot e trashëgoi nga gjyshi i tij Hazreti Muhamed Msutafai, madhështinë dhe zotërinë nga i ati, Shahu Merdan Aliu, pastërtinë dhe dëlirësinë nga e ëma, Fatime Zehra, durimin nga Imam Hasani, trimërinë nga Imam Hyseni, shehidi i fushës së Qerbelasë, kulmin e adhurimit dhe robërisë, nga Imam Sexhadi, sukseset shkencore dhe praktike nga Imam Bakiri dhe Imam Sadiku, tolerancën dhe mirësinë nga Imam Qazimi, arsyet e qarta dhe dëshmimin e të vërtetës kundër të gabuarës, nga Imam Rizai, ndjenjën e bujarisë dhe bamirësisë nga Imam Xhevadi, pastërtinë e shpirtit nga Imam Hadi dhe madhështinë e shpirtit dhe të zemrës nga babai i tij Imam Asqeriu. Imam Mehdiu ndriçon për pasuesit e Ehli Bejtit në botë si një diell që përçon katërmbëdhjetë rreze.
Imam Mehdiu është pikërisht imami, lindjen e të cilit vetë profeti dhe Shahu Merdan Aliu ja dhanë sihariq pasuesve të Ehli Bejtit, të cilët po ashtu i njoftuan edhe për mungesën afatgjatë të tij. Pikërisht është ai imam për të cilin Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “ Ashtu sikurse njerëzit e shihnin por nuk e njihnin Hazreti Jusufin, në periudhën e mungesës po ashtu është e mundur që njerëzit ta shohin por mos ta njohin Imam Mehdiun .”
Ai është Veliu i Allahut të madhëruar. Është njohja e Imam Mehdiut dhe pasimi i rrugës së tij që na nxjerr neve nga errësira dhe na çon në pozitën e ndriçimit dhe përsosmërisë. Është imami që është halifeja e Zotit në tokë. Është po ai imam i cili në udhëzim është ortak me Kuranin dhe nuk bën asgjë pa urdhrin e Allahut dhe një ditë do të rikthehet me urdhrin e Allahut dhe do të vendosë drejtësinë.
Imam Mehdiu është njeriu i përsosur nga brezi i pesë anëtarëve të Ale Aba_së. Në ditën kur ai do të shfaqet publikisht, do të jetë fundi i dhunës dhe dita e hakmarrjes së të shtypurve të botës ndaj dhunuesve. Ai , ashtu sikurse i ati, Shahu Merdan Aliu, do ti shtrijë dorën dhe do të ndihmojë të dobëtit, të vobektit, të privuarit dhe masat e shtypura të botës. Ai do të rikthejë drejtësinë në botë dhe do të përhapë moralin e pastër anembanë rruzullit tokësor.
Imam Mehdiu është pinjoll i brezit të Imam Hysenit, martirit të fushës së Qerbelasë, i cili do të hakmerret për gjakun e Imam Hysenit dhe për të gjithë ata që u vranë në mënyrë të dhunshme dhe të pafajshme.
“Qyteti ideal”, është qyteti që do të ndërtohet në këtë botë nga Imam Mehdiu, shokët dhe pasuesit e tij. “Qyteti ideal”, është qyteti në të cilin të gjithë njerëzit do të jetojnë me pastërti brenda tij pa i ngrënë të drejtën askujt apo të ndjehen të privuar.
Ndjekësit e rrugës së Ehli Bejtit , çdo vit festojnë ditën e mesit të muajit Shaban, që rikujton ditëlindjen e Imam Mehdiut, duke e nderuar këtë ditë ata rikujtojnë çdo vit që zemrat e tyre rrahin për Veliun e Alahut të madhëruar, imamin e udhëzimit dhe Halifenë e Allahut. Ata i binden dhe ndjekin me përulësi mësimin e Hakut (të vërtetës), Muhamedit dhe Aliut, që do të prezantohet nga Imam Mehdiu në mënyrën më të përsosur.
Kuptimi i festës së pasuesve të Ehli Bejtit në mesin e muajit Shaban është që duke shtuar gëzimin në zemrat e tyre në ditëlindjen e Veliut të Allahut, të mblidhen rreth njëri-tjetrit dhe të përpiqen që të njohin më shumë dhe më mirë Vilajetin e Imam Mehdiut dhe ti përkushtohen më me zemër atij .Të forcojnë besën dhe marrëveshjen e lidhur me zemër në ndjekjen e udhës së Ehli Bejtit, të përfitojnë nga ndriçimi i dritës së Vilajetit të Imam Mehdiut dhe të ndjekin udhën e përsosmërisë më mirë se vitin e mëparshëm. Kur ndjekësit e rrugës së Ehli Bejtit do të njohin më mirë Veliun e Allahut të kohës së tyre, do të munden që të veprojnë dhe zbatojnë më mirë detyrat e tyre ndaj tij në kohën e mungesës së madhe dhe të përfitojnë nga ndriçimi i dashurisë dhe Vilajetit të Imamit.
Bazuar mbi këto që u përmendëm, mund të themi që mesi i muajit Shaban, është një festë e madhe për pasuesit e rrugës së Ehli Bejtit dhe Bektashinjtë e mbarë botës që me rastin e ditëlindjes së Veliut të Allahut të madhëruar, do të përkujtojnë dhe do të shtojnë njohuritë dhe do të forcojnë dhe lidhin më shumë zemrat e tyre me Hazreti Veli Asr (Imami i kohës tonë).
[1] Përfaqësuesit të pushtetit të Allahut
[2] Pushtetit të Allahut
[3] Quhen Profeti Muhamed, Imam Aliu, Hazreti Fatimeja, Imam Hasani dhe Imam Hyseni.