
Dita e diel e 22 shkurti 2026, është një ditë e shënuar për miliona bektashinj në të gjithë botën, pasi është dita kur 110 mite më parë, ka lindur ish-Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Dede Ahmet Myftari. “Sot, ne përkujtojmë 110-vjetorin e lindjes së ish-Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Dede Ahmet Myftarit, klerikut që ka bërë shumë për besimin tonë të paqtë, si fetar e atdhetar. Dede Ahmeti ka dhënë një kontribut të çmuar për bektashizmin, gjë e cila do vlerësohet e do shërbej ndër breza. Ai ishte një klerik i përkushtuar që ndjente lodhje në Udhën e Hakut, dinte të falte mirësi, dashuri e besim në Zot, kontribuoi maksimalisht për përhapjen e besimit bektashian dhe ngritjen e institucioneve si dhe nuk kurseu mbështetjen dhe kontributin konkret për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Dede Ahmeti, është shembulli më i mirë i aksiomës së njohur bektashiane ‘Pa atdhe, nuk ka fe’, pasi në vitet e vështira të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ai jo vetëm dënoi publikisht pushtimin e vendit, por ishte në ballë të lëvizjes popullore për nevojën e çlirimit me armë në dorë”- pohon ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj.
Në këtë ditë, në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, Kryegjyshi, Dede Baba, Edmond Brahimaj, pret besimtarët dhe do të drejtoj ritet e kësaj diite të shënuar. Aktivitete përkujtoimore për këtë rast, do të realizohen dhe në gjyshatat bektashiane, brenda e jashtë Shqipërisë.
DEDE AHMET MYFTARI
Ish-Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Dede Ahmet Myftari ka lindur më 22 shkurt të vitit 1916, në fshatin Brataj të Vlorës. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa në vijimësi, në qytetin e Vlorës. Ai, mbeti jetim që herët, por mundi të trashëgoj prej prindërve, dashurinë për dije dhe dashurinë për atdheun. Prej të afërmeve të vet, u mëkua më pas, me dashurinë për besimin e kulluar bektashian. Pasi mbaroi shkollën qytetase në vitet 1924-1929 në Vlorë, në vitin 1936, shkon ushtar në Dibër. Këtu u njoh me baba Zenel Dumen, nga Çepani i Skraparit, ku mori dashurinë dhe besimin te i madhi Zot, mori njohuri për bektashizmin dhe islamin në përgjithësi. Në teqenë e Bllacës, ai qëndroi në vitet 1937-1939. Në Bllacë, u vesh dervish nga Baba Zeneli. Në këtë kohë, ishte vetëm 22 vjeç. Një vit më vonë, në qershorin e vitit 1939, ashtu sikundër dhjetëra klerikë të tjerë bektashianë, u rreshtua në krahun e luftëtarëve të lirisë, në aksione konkrete kundër pushtuesve italianë. Në Vlorë dhe Kurvelesh, në Tepelenë dhe Elbasan, fjala e dervishit bektashian, zinte vend në zemrat e luftëtarëve.
…Veprimtaria atdhetare e dervish Ahmet Myftarit, bie në sy të autoriteteve italiane. E thërrasin dhe i thonë se duhet të heshtë, duhet të shkoj në teqe dhe të kujdeset për besimtarët. Ky i dëgjon dhe në heshtjen e thellë u përgjigjet: “Si mund të kujdesem për besimtarë me vatan të shkelur. Vatani njëherë, ai të jetë i lirë, pastaj vjen besimi!” Në fillim të majit të vitit 1943 e arrestojnë dhe e dërgojnë në kampin famëkeq të “Porto-Romanos”. Edhe këtu, shpirti i lirë i tij, nuk gjen prehje. Fjala e ngrohtë e tij, bind komunist dhe nacionalistë se përpara çdo lloj bindjeje partiake është atdheu. Atij do t’i falemi në çdo kohë, me çdo mjet, në çdo situatë. Me kapitullimin e forcave italiane, e lë kampin e “Porto-Romanos ” dhe sërish, me pushkë në krah, renditet në radhët e luftëtarëve të lirisë. Madje në një prej këtyre betejave, u plagos rëndë. Shokët e morën në supe dhe e dërguan në spital, duke i rikthyer jetën.
…Pranvera e vitit 1945, e gjen në detyrën e komandantit të Qarkut në Martanesh dhe, përpara tij çelen dyert e karrierës ushtarake. Gjithsesi, brenda zemrës së Ahmet Myftarit, gjallonte ëndrra e dervishit, besa që pat dhënë dikur, në mejdan të teqesë së Bllacës. Ai falënderon komandën e lartë për besimin që i kish dhënë dhe në maj 1945, paraqitet në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore, duke hedhur në supe arkanë e dervishit bektashi.
Më 2 tetor 1945, merr titullin ‘Baba’ dhe shërben plot devocion në teqetë e Baba Hamitit në Elbasan si edhe Kuzum Baba në Vlorë. Në 2 qershor 1948, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Bektashian, vendoset në funksionin më të lartë, atë të Kryegjyshit Botëror Bektashian. Kurse në vitet 1948-1958 organizoi arsimin fetar, u përkthyen në gjuhën shqipe dhjetëra libra për bektashizmin. Në këto vite i dha hov bektashizmit dhe u bë faktor i harmonisë fetare midis komuniteteve fetarë tradicional në Shqipëri. Zgjidhi një varg detyrimesh të Komunitetit Bektashian Shqiptar me bektashinjtë e tjerë në gjithë botën.
Vitet e qëndrimit të dede Ahmet Myftarit, në këtë post të rëndësishëm, janë vite të gjallërimit të mëtejshëm të besimit bektashian, vite të respektimit të tri erqaneve tradicional, duke larguar njëherë e përgjithmonë këtë besim të mrekullueshëm, nga kurthet dhe prapësitë e thurura prej partisë-shtet. Në këto vite, portat e teqeve u çelën për mijëra dashamirës dhe myhib, u institucionalizua amësimi fetar, u nxorën prej arkivave dhjetëra libra për bektashizmin dhe u përkthyen në gjuhën shqipe dhe zëri i bektashizmit u dëgjua më larg se kurrë.
Në Konferencën Ndërkombëtare “Apel Paqes” në Tiranë në vitin 1956, shpalosi mendimet në referatin e Perëndisë, mbas kësaj filloi përplasja e tij, me shtetin e kohës..
Përndjekja, bëri që dede Ahmet Myftari të linte postin e rëndësishëm dhe të kalonte privacionet në vitet e rënda të internimit së bashku me dervish Reshatin, në Drizar të Mallakstrës. Privacionet dhe torturat u bënë pjesë e pandarë e jetës së tyre. Por, edhe në këto kushte, të dy këta shënjtorë, rrëfyen shpirtin e madh dhe të paepur, rrëfyen vendosmërinë e palëkundur për ta mbajtur të pastër burimin e besimit bektashian.
…Një meritë e padiskutueshme gjithashtu e dede Ahmetit, është fakti që frymën e tij, shenjtërinë e tij të panjollosur, ai përcolli plot dashuri në personalitetin e dede Reshat Bardhit.
Dede Ahmeti, ndërroi jetë më 10 korrik 1980.
VLERËSIME PËR DEDE AHMET MYFTARIN
Dede Reshat Bardhi ka thënë: “E njoha Dede Ahmetin kur isha 17 vjeç. Ai hyri në jetën time dhe do të mbetet aty, deri në frymën time të fundit. Ai më mori për dore dhe më futi në rrugën e ndritur të bektashizmit, në rrugën e ndriçuar prej Pirit tonë, Haxhi Bektash Veliut. Dede Ahmeti ka qenë dhe mbetet një gurë i rëndë në themelet e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror. Me urtësinë e tij, me zgjuarsinë e tij, me guximin e tij, dede Ahmeti për dhjetë vjet rresht, mbajti mbi shpatulla një varg problemesh me të cilat përballej bektashizmi ynë i kulluar. Ai kurrë nuk u qa, kurrë nuk u ankua, kurrë nuk e lëshoi veten edhe në situatat më të vështira. Në mënyrë të veçantë, kruajua dhe guximi i tij, shkëlqyen në vitet e vështira të internimit, në fshatin Drizar të Mallakastrës. Aty u shfaq si rrallë herë qëndresa e tij. Teqeja e vogël e Drizarit, ai vend i humbur mes përrallesh, u bë Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Tek kjo teqe kanë ardhur me mijëra besimtarë, nga e gjithë Shqipëria. Vinin të rraskapitur, vinin të trishtuar, vinin si nata. Po iknin të shlodhur, iknin të gëzuar, iknin si mëngjesi i bukur. Dede Ahmeti u jepte shpirt dhe dritë nga shpirti dhe drita e tij. Ligjet e regjimit në fuqi, nuk mund të vepronin përballë ligjeve hyjnorë…”
Dede Baba, Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve pohon: “…Sot është një ditë e shënuar për mbarë bektashinjtë, pasi është përvjetori i 110-të i lindjes së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Ahmet Dede Myftari, kleriku i shquar me kontribute të vyera fetare e atdhetare. … Me urtësinë, zgjuarsinë, guximin e tij, Dede Ahmeti, për 10 vjet rresht, mbajti mbi shpatulla një varg problemesh, me të cilat përballej bektashizmi ynë i kulluar, duke lënë një shembull mjaft kuptimplotë për klerikët dhe besimtarët në dekada. Dhe i tillë do të mbetet Dede Myftari ndër breza, në dekada të tjera e në shekujt që vijnë. Sot, ditë në të cilën Dedei ynë 110-vjetorin e lindjes, është një ditë e shënuar për miliona bektashinj në gjithë botën, ditë me të cilët ne krenohemi…”
MIRËNJOHJE ZYRTARE PËR DEDE AHMETIN
-Nga Presidenca, Urdhëri për Veprimtari Patriotike të Klasit I (pas vdekjes) 16.07.1993
-Qytetar Nderi i Vlorës (pas vdekjes) 30 .10. 2000
-Figurë e shquar në emetimin e pullave Albpost 2001
-Personaliteti i Labërisë nga Shoqata “Labëria”, 25.02. 2014
-Nga Presidenca, “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), 22 shkurt 2016
-“Qytetar Nderi i Komunës Brataj “ (pas vdekjes), gusht 2016
-Vendosja e bustit në Qytetin e Vlorës
-Vendosja e Bustit në Brataj, 2011
-Vendosja e Bustit në Krujë, dhjetor 2021
-Botime librash dhe filma.














