Sot, me propozim të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Presidenti i Republikës, .SHT.Z. Ilir Meta, i akordoi gazetarit të mirënjohur, z. Ferdinand Samarxhi, titullin “Nderi i Kombit”.
Ferdinand Samarxhiu është zëri i të gjitha komuniteteve fetare, i cili nëpërmjet ekranit të parbashkët të të gjithë shqiptarëve, Radio Televizionit Publik Shqiptar bëri të mundur përcjelljen e lajmit fetar që në vitet e para të lirisë së besimit, në vitet '90.
Fjala e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj
" I nderuar President i Republikës, Shkëlqesia Juaj z.Ilir Meta ! Të nderuar prijës të lartë të komuniteteve fetare në Shqipëri! Të nderuar gazetarë e miqtë z. Samarxhi! Kam kënaqësinë e veçantë t’ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë event dhe më lejoni t’ju përshëndes të gjithëve në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Zoti i Lartësuar dhëntë paqe e mirësi në familjet tuaja! Zoti i Lartësuar begatoftë Shqipërinë tonë dhe shqiptarët, kudo ku janë! Dekorata e lartë që i jepet sot z.Ferdinand Samarxhi, është një vlerësim i thellë i gjithë punës, sakrificës dhe vetmohimit të tij, në aspektin e ringritjes së besimit në Zot, në Shqipërinë e pas viteve ‘90-të. Është një respekt që shkon paralel me përkushtimin e tij, në një prej periudhave më të vështira të historisë fetare në vendin tonë, pikërisht atëhere, kur vlente të ngriheshin të gjithë, me besim dhe me shpirt, për të flakur pas krahëve atë realitet të trishtë të ateizmit dhe obskurantizmit fetarë. Është po kaq e rëndësishme të kujtojmë sot, se kjo dekoratë është vlerësim edhe për një grup shumë më të gjerë gazetarësh, operatorësh, regjisorësh, etj. të cilët së bashku me mikun e tyre dhe tonin z.Saramarxhin, shkelën në çdo pëllëmbë të viseve shqiptare, pranë çdo kisheje, teqeje, xhamie apo çdo lloj vendi adhurimi tjetër, duke e nxjerrë atë prej harrese, duke rrëfyer të kaluarën, duke nxjerrë në pah qëndresën, guximin dhe tipare të tjerë po kaq të vyer të besimtarëve shqiptarë. Zoti pastë në vëmendjen e Tij, gjithë këtë armatë të shkëlqyer gazetarësh! Të nderuar të pranishëm! Si Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, sot më ra mua radha të përshëndes këtë ceremonial modest. Por unë jam ndërkaq i sigurtë, se çdonjeri prej lidërve fetarë në Shqipëri, nuk do ta kishte aspak të vështirë të fliste për vëllanë tonë, z.Samarxhi, pasi vepra e tij, është shtrirë në mënyrë të njëtrajtshme në të pestë komunitetet tanë, duke pasqyruar në çdo moment me përgjegjësinë e gazetarit dhe të qytetarit ,të gjitha arritjet tona, por edhe duke evidentuar çdo problem tonin. Sigurisht, si Kryegjyshi Botëror i Bektashinjëve, personalisht ruaj në kujtesë episode të shumtë, të cilat nuk është këtu vendi dhe koha për t’i zbuluar. Por me z.Samarxhi jemi ngjitur edhe në teqetë më të largëta, duke dashur të fiksojmë momente që më vonë do të përbënin historinë e bektashizmit të kësaj periudhe. Nuk mund të rri pa kujtuar sot, se Ferdinandi ka qenë dhe mbetet gjithashtu edhe njeri nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të dede Reshat Bardhit, paraardhësit tim të shkëlqyer, me të cilin ndanë sa e sa ditë e netë të gjata udhëtimesh, jo vetëm në viset shqiptare, por edhe më gjerë, në shumë vende të botës. Shumë pjesë e historisë së bektashinjëve në këtë periudhë të lirisë së besimit fetar në Shqipëri, sikundër edhe të komuniteteve të tjera fetare, lidhen me grupet e xhirimit dhe publiçstikën e z.Samarxhi. Kjo krenon së pari z.Samarxhi, por edhe krejt ata që iu ndodhën pranë dhe e ndihmuan në këtë mision kaq madhor, në kujdesin për të pasqyruar me vërtetësi çdo aspekt të jetës fetare. Prandaj në emër të të gjithëve e uroje dhe një herë vëllain tim, Samarxhiun, duke qenë i bindur se ai do të vazhdoj të kryejë misionin e tij. Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin! "