Sot, përkujtohet 71-vjetori i largimit nga kjo jetë i klerikut të njohur bektashian, ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Kamber Prishta, atdhetarit i vlerësuar me “Nderi i Kombit”.
Dede Kamberi lindi në vitin 1869, në një familje me besim bektashian dhe ndërroi jetë në vitin 1950. Babai dhe nëna e Kamberit ishin myhib në teqenë e Frashërit, qysh me themelimin e saj nga i shenjti Nasibi Tahir Babai. Dy xhaxhallarët dhe babai i Kamberit, kanë qenë dervishë në teqenë e Frashërit, por, meqë familja kishte shumë nevojë për të përballuar punët e bujqësisë, babai, Mehmeti, u emërua dervish nderi dhe u lejua të martohej. Xhaxhallarët vijuan të shërbenin deri në fund si dervishë. Njëri prej tyre, dervish Kasoja, pati fatin të qëndronte në teqe, kur atë e drejtonte i madhi baba Alushi, i cili, siç dihet, priste e përcillte patriotin rilindës, Abdyl Frashërin. Pas vdekjes të dervish Kasos, të cilin Kamberi e kishte pasur atin e tij shpirtëror, mori përsipër që traditën bektashiane, ta çonte më tej. Ishte viti 1910 kur ai shoqëroi për në Haxhi Bektash të Turqisë, Ahmet Turhanin dhe baba Sulejmanin e teqesë së Gjirokastrës, të cilët u dorëzuan gjyshër nga Kryegjyshi Botëror i atëhershëm, Fejzi Dedei. Dervish Kamberi në këtë udhëtim, përveç Turqisë, mundi të vizitonte Sirinë dhe Libanin, nga mori përvojë të vyer si bektashi. U kthye në Atdhe në vitin 1911, pikërisht kur kish filluar lëvizja kombëtare. Në teqenë e Frashërit baba Kamberi punoi me përkushtim për të ruajtur traditën bektashiane. Pushtimi i Shqipërisë së Jugut nga andartët grekë, e gjeti bashkë me dhjetëra e qindra familje të tjera, në ullishtet e Vlorës si muhaxhirë. Aty u bë pjesë e ndihmëtarve për popullatën e mbetur në mes të katër rrugëve. Nga pjestarët e familjes së tij nga sëmundjes së kolerës, familja Meço humbi 13 anëtarë. Sapo filloi Lufta e Dytë Botërore, dervish Kamberi mori rrugën për në SHBA, me synimin për të mbledhur ndihma për ringritjen e teqeve të shkatërruara e të djegura nga lufta. Sipas dokumenteve, dervish Kamberi është pritur mirë nga drejtuesit e Federatës “Vatra”, Konica dhe Fan Noli. Ka qenë fundi i vitit 1920 kur ai takohet me Mit’hat Frashërin dhe erdhi në Shqipëri. Sapo mbërriti në Shqipëri, ai mori lajmin se ishte caktuar delegat, si pjesëmarrës në Kongresin Bektashian që mbahej në Prishtë. Pas vdekjes së baba Hysenit, ai mori drejtimin e teqesë së famshme të Prishtës në Skrapar.
Gjithçka u krijua pas ardhjes së baba Kamberit, sidomos në shtimin e pemëtarisë dhe vreshtave, mollë, rrush, qershi, dardhë, kumbulla, fiq, mëna etj. Çdo ditë, në teqe punonin mbi 15 fshatarë dhe 25 dervishë. Teqeja e Prishtës u bë një ndër më të mëdhatë e Shqipërisë së Jugut me prona të pasura, bagëti, bletë etj. Baba Kamberi ishte shumë aktiv, madje zinte një vend të rëndësishëm në radhët e klerikve më të lartë të asaj kohe. Edhe pas Kongresit të Parë Bektashian që u mbajt në Prishtë, baba Kamberi do të qëndronte në ballë të veprimtarive për organizimin dhe forcimin e tarikatit bektashi. Në shtator të vitit 1929 në teqenë e Turhanit, në Korçë, u mbajt Kongresi i Tretë Bektashian, i kryesuar nga baba Kamber Prishta, i cili dha ndihmesë shumë të madhe për hartimin statutit dhe rregullores të bektashianëve. Më 12 prill 1944, kleriku i shquar, baba Kamberi, u zgjodh Kryegjysh, por nuk e lanë të qetë. Në vitin 1945, ai u arrestua nga shteti monist dhe u dënua me 15 vjet burg. Vuajtjet në burg për këtë klerik të rangut të lartë bektashi kanë qenë shumë të mëdha. Ndërroi jetë në burgun e Tiranës më 5 prill të vitin 1950. Është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë mbas vitit ’90-të me Urdhrin për veprimtari patriotike të Klasit të Parë.dhe “Nderi i Kombit”.
Përgatiti:
Nuri ÇUNI