Media qëndrore në 6-vjetorin e përurimit të Odeonit në Selinë e Shenjtë Bektashiane

-Speciale me foto sot në gazetën “Telegraf”-

Përkujtimi i 6-vjetorit të përurimit të Qendrës Fetare-Kulturore të Selisë së Shenjtë Bektashiane (Odeoni), në Tiranë, përveçse aktiviteteve të shumta ceremoniale të zhvilluara ditën e martë, 7 shtator 2021, u parapri dhe vazhdon ende me një prezencë informative e vlerësimi edhe në medien e shkruar kombëtare. Kështu, sot, në gazetën “Telegraf”, botohet një special me vlerësime të personaliteteve të njohura të vendit dhe të huaj, shoqëruar me foto, për Odeonin Bektashian dhe vlerat e tij fetare, kulturore dhe kombëtare. Ja disa fragmente:

Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar: “..Ndjehem i nderuar që marr pjesë në përurimin e kësaj foltorje madhështore, ku besimtarët myslimanë të Komunitetit Bektashian, kanë vite që e presin. Faltorja është një institucion fetar dhe si e tillë ruan një rol të rëndësishëm në zhvillimin kulturor të botës së brendshme të njeriut. Në faltore, besimtari arrin të pastrohet dhe të bëhet i devotshëm. Prandaj qëllimi kryesor i ndërtimit të saj, është humanizmi dhe devotshmëria e njeriut..!”

Papa Francesku (Telegram i lexuar nga  Shkëlqesia e Tij, Igles Urime, me urimet e Papa Franceskut për Kryegjyshin Botëror Bektashian, përurimin e odeonit dhe rolin e bektashizmit për harmoninë fetare dhe paqen.)

Anastas, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë: “…Një pamje që të imponon shumë. Një shtëpi e bektashinjve dhe e çdo besimtari që shtyhet në trajtat sufiste të dashurisë njerëzor. Urime të gjithëve, sidomos Kryegjyshit të sotëm Dede Mondit. Urime dhe atyre që punuan për muzeun dhe mjediset e tjera të faltores, duke u prirur në dhënien e koncepteve sa më të qarta të rrugës se si ka lindur ky besim dhe si ka ardhur ai deri në ditët që jetojmë sot. Por unë do desha të vlerësoj dhe mikun tim të vjetër e të paharruar, Dede Reshat Bardhin, me të cilin u lidha ngushtë që në vitin 1991, atëherë kur po ringjallnim fenë e shkatërruar… Sidomos, më kanë mbetur në kujtesë , ditët e vështira të vitit 1997, kur na duhej të mblidheshim së  bashku shpesh herë për të marrë vendime unanime, për të hartuar dhe miratuar deklarata paqeje, duke iu ardhur në ndihmë besimtarëve të ndryshëm…”

Anxhelo Masafra: “..Është sit ë thuash një mrekulli. Ka dashur Zoti, prandaj na  eka dhuruar ne bijve të tij në tokë.  Çdo vullnet i Tij, gjen shprehjen e vet më të mirë në ato vende ku njerëzit lindin, rriten dhe udhëtojnë jetën e tyre fizike, me dëshirën për t’iu afruar sa më shumë Atij… Edhe një herë ju lumtë Dede Edmond Brahimaj. Keni ngritur një godinë unike që I ka munguar bektashinjve të gjithë botës…!”

Recep Tayyip Erdogan , Presidenti i Turqisë: “Ne ju shikojmë si përfaqësues në Ballkan të Haxhi Bektash Veliut. Këto troje me edukim, durim dhe vuajtje janë djegur në zjarrin e shkencës dhe të dashurisë, të monumenteve të shkencës dhe dijes siç është Haxhi Bektash Veliu. Unë kujtoj me vlerësim dhe respekt luftën që keni zhvilluar në shekuj për të ecur në rrugën e Haxhi Bektash Veliut, për të mbajtur të gjallë trashëgiminë e tij. Besoj se faltorja do të kryejë një detyrë tepër jetike për transmetimin e këtyre mesazheve brezave të ardhshëm. Dëshiroj të theksoj se ne si Turqi zemrën e kemi gjithmonë të hapur për Komunitetin Bektashian në Shqipëri dhe se do të vazhdojmë edhe në të ardhmen mbështetjen tonë. Në emrin tim dhe popullit tim, ju shpreh konsideratë juve vëllezërve të vyer bektashi dhe nëpërmjet jush i përcjell gjithë popullit shqiptarë dashurinë dhe përshëndetjet më të përzemërta”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta: “… Ta gëzojmë të gjithë bashkë këtë tempull dashurie. Ky investim i bektashinjve, është një mrekulli arkitekturore dhe njëkohësisht shpirtërore. Përgëzoj Kryegjyshin Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për përfundimin e këtij tempulli të veçantë në Shqipëri, Ballkan e më gjerë..!”

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani: “Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka dhënë dhe vijon të japë kontributin e saj të çmuar në krijimin dhe pasurimin e tolerancës, bashkëjetesës, paqes sociale, qetësisë shpirtërore, urtësisë, dialogut dhe respektit njerëzor, elemente kaq të rëndësishme për shoqërinë tonë, por dhe padyshim, për mbarë rajonin dhe realitetin ku jetojmë…Përurimi i Odeonit është një ngjarje e veçantë. ..Tek kjo faltore qendrore bektashiane, shprehja “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut” trupëzohet më së miri duke gjetur vendin që meriton!

Piktori i famshëm Omer Kaleshi: “…Jam i mrekulluar dhe i dashuruar njëkohësisht me këtë vepër që është bërë, me këtë tempull të bektashizmit. Jam i gëzuar dyfish, pasi ky tempull është në tokën time, në tokën e shqiptarëve. Përgëzoj gjithashtu dhe specialistët për mjediset funksionale e kompletimin e tyre, si muzeu, biblioteka, arkivi etj… Unë kam premtuar dhe do sjellë një ekspozitë, do ja fal Kryegjyshatës..!”

Robert Elsie, studiues: “… Gjëra të tilla, do i kishte zili çdo vend, çdo komunitet. Kjo faltore dhe mjediset e saj, do të jenë një qendër e rëndësishme, për pasurimin dokumentar të historisë së bektashizmit. Jam i emocionuar dhe tejet i interesuar për të bashkëpunuar dhe nxjerrë në dritë këtë punë të bërë dhe historinë e besimit të paqtë bektashian në Shqipëri e kudo në botë..!

Përgatiti:
Xhorxhin Çullhai