Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, shpreh dhimbjen e thellë, për ndarjen nga jeta të poetit të njohur Arben Duka, shok e mik i Tij dhe dashamirës i bektashizmit. Njëkohësisht, Dede Edmond Brahimaj, ngushëllon bashkëshorten e familjarët e poetit, të bëhen të fortë e me besimin në Zot, ta përballojnë këtë dhimbje . “...Lamtumirë mik i shtrenjtë, poeti i talentuar dhe familjar shembullor, Arben Duka, që sot në mëngjes, ndërrove jetë papritur. I madhi Zot të deshi pranë, athje në botën tjetër. Por shpirti jot, do të vazhdoj të jetë dhe atje ku prehesh, plot mirësi e dlirësi, duke sjellë mesazhe tek familjarët, tek ne miqtë e shokët e tu, që na deshe e të deshëm si vëlla. Për mua, shok e mik i kahershëm i rinisë e në vazhdim, ti do të mbetesh njeri me virtyte të larta, i drejtë, me shpirt human dhe i gjendur, me praninë tënde fizike e shpirtërore, me ato mijëra poezi në mbi 50 librat tuaj, në ato qindra e më shumë këngë që do i këndojnë brezat. Për ne bektashinjtë, mik i dashur, di do të mbetesh i paharruar, pasi penda jote e artë, ka shkruar shumë në këto dekada për besimin tonë të paqtë, për klerikët atdhetar bektashinj që kudo e kurdoherë realizuan e realizojnë devizën bektashiane, ‘Pa atdhe, nuk ka fe!’. Ngushëlloj për këtë humbje fizike tënden, bashkëshorten Pranverën, dy fëmijët tuaj e familjarët dhe i bekoj që me ndjenjën e shpirtit të tyre e besimin në Zot, ta ruajnë gjithmonë-dritë, shpirtin tënd të dlirë e shembullin tënd. Zoti i bekoftë ata!...”- pohon ndër të tjera në mesazhin e tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.