Me rastin e 22-vjetorit të sulmit terrorist në Kullat Binjake, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një mesazh të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, evidentohet kjo tragjedi e rëndë ku humbën jetën afro 3000 vetë dhe bëhet apel për më shumë përgjegjësi, punë e përkushtim, për më shumë dashuri, harmoni dhe vigjilencë, për të identifikuar e parandaluar e luftuar çdo dukuri të terrorizmit në gjithë globin, në të gjitha format e mënyrat e shfaqjes së tij. Sipas Tij, në këto kohë të që po kalojmë sot, plot 22 vjet pas asaj tragjedie që tronditi botën, terrorizmi është sofistikuar dhe kërkon terrene për të krijuar pasiguri, gjak e dhunë, ndaj gjithë institucionet, faktorët politik, fetar, shoqëror e gjithë njerëzimi, duhet të impenjohen për frenimin e kësaj dukurie.
“…Duke kujtuar sot pas 22 vitesh, tragjedinë e 11-shtatorit, le të lutemi të gjithë për afro 3000 vetë që humbën jetën në këtë masakër terroriste dhe të ndërgjegjësohemi të gjithë pa dallim, për të qenë vigjilentë e të angazhuar për të identifikuar e luftuar çdo shfaqje të terrorizmit, kudo ku ai shfaqet apo tenton të ngrejë kokë. Veçanërisht në këto kohë të vështira që po kalon njerëzimi, kur janë hapur disa vatra luftërash e konflikte të përgjakura, kur segmente apo faktorë të ndryshëm kanë interesa të ndryshme dhe investojnë për aktet terroriste, ne, faktorë politik, fetar, shoqëror dhe të ekonomisë, duhet të tregohemi më të ashpër në luftën komplekse kundër tij. Sa më tepër unitet, dashuri, harmoni, paqe e besim të pa lëkundur tek i Madhi Zot, të kemi, aq më efektive do të jetë kjo përballje e njerëzimit me terrorizmin…”- pohon ndër të tjera në mesazhin e Tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
…Tragjedija e rëndë ndodhi mëngjesin e 11 shtatorit, 2001, kur banorët e Nju Jorkut po bëheshin gati të nisnin ditën. Fillimisht, një avion i rrëmbyer goditi qëllimisht njërën kullë të Qendrës Botërore të Tregtisë. Ishte ora 08:46. Vetëm 17 minuta më vonë, një avion tjetër, po ashtu i rrëmbyer, u përplas në kullën e dytë. Dy ndërtesat 110-katëshe rrokaqiejt më të lartë në Nju Jork i përfshinë flakët, ndërsa qindra punonjës të shërbimit të urgjencës nxituan drejt kullave për t’i ndihmuar të ngujuarit brenda. Në orën 09:37, avioni i tretë i rrëmbyer u përplas qëllimisht në njërën anë të ndërtesës së Pentagonit selisë së mbrojtjes amerikane, pranë Uashingtonit. Avioni i katërt, që besohet se kishte në shënjestër ndërtesën e Kongresit, gjithashtu në Uashington, u rrëzua në një fushë në Pensilvani, pasi pasagjerët luftuan kundër rrëmbyesve. Në total, 2.977 njerëz pa përfshirë 19 rrëmbyesit e avionëve vdiqën në sulme, ndërsa mijëra të tjerë u plagosën.