Nëpërmjet një mesazhi, sot më 9 maj, ditën e përkujtimit të fitores mbi fashizmin, në Luftën e Dytë Botërore, “Ditën e Europës”, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, vlerëson kontributin e dhënë nga miliona viktima dhe luftëtarë që dhanë jetën për paqen dhe lirinë, duke bërë apel për unitet, solidaritet, dashuri vëllazërore dhe besim në Zot, për të gjithë besimtarët dhe faktorë të tjerë shoqëror, politik e shtetërorë. Njëkohësisht, ai bekon të gjithë ata, që në këto kohë të vështira që po kalon gjithë njerëzimi, si pasojë e luftërave të përgjakura e konfliktet e shumta, bëjnë aq sa munden për paqen dhe liritë njerëzore.
-“Dita e 9 majit 1945, mbetet një datë e shënuar për Europën dhe kontinente të tjera, ku pas një lufte të përgjakshme që mori jetë të pafajshme njerëzore, forcat përparimtare, me ndihmën e të Madhit Zot, sollën lirinë duke ndërprerë një masakër çnjerëzore. Kjo ditë, ‘Ditë e Europës’, i obligon sot më shumë se kurrë të gjithë, që ti japin udhë arsyes njerëzore, përpjekjeve për ndërprerjen e luftës në Ukrainë dhe konflikteve në disa rajone të globit e, të mbretërojë kudo paqja, dashuria vëllazërore, pa dallim etnie, besimi fetar, niveli social, race e ngjyre. Duke bërë përpjekje pa ndërprerë, duke u lutur e shpresuar tek ndihma e Zotit të Madh, kjo orë lumturie do të jetë sa më e afërt. Në këtë datë të shënuar, i lutem Zotit, ti përgjigjet kërkesës sime për të mbrojtur me dëshirën e fuqinë e Tij, të vobekëtit e të pafuqishmit duke u dhënë shpresë e forcë, në mënyrë që paqa të mbetëroj në gjithë botën! Zoti ju bekoftë”- pohon mes të tjerave në mesazhin e Tij, Dede Edmond Brahimaj.