Nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, duke i bekuar dhe u uruar fëmijëve shqiptarë dhe atyre të gjithë botës, shëndet, lumturi e ditë të begata. Njëkohësisht, nëpërmjet këtij mesazhi, ai bën apel prindërve, strukturave shtetërore e atyre shoqërore, që me durim e me besim tek i Madhi Zot, të bashkojnë e shtojnë përpjekjet për zbatimin e të gjitha të drejtave e lirive për fëmijët, për rritjen e shëndetshme dhe edukimin e tyre, pasi kjo jo vetëm është detyrë për të gjithë, por se fëmijët, janë qeniet e pafajëshme e të brishta sot, por janë po ata që nesër do i japin formën dhe jetën njerëzimit.
“Në këtë ditë të shënuar, një qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, i bekoj dhe uroj fëmijët shqiptarë dhe ata në gjithë botën, ‘Gëzuar festën tuaj!’ Paçi dashuri e harmoni, për të qenë sot dhe nesër dinjitoz në udhën tuaj në jetë. Uroj në këtë festë gjithashtu dhe prindërit e tyre, duke u bashkangjitur apelin që me besimin tek i Madhi Zot, të lindin e të rrisin fëmijë të shëndetshëm e të mbarë, të bëjnë detyrën e tyre prindërore me përgjegjësi e përkushtim, duke ndjerë kështu dhe frutin e punës tek krijesat e tyre kur të rriten. Po ashtu, edhe stukturat shtetërore e shoqërore, të gjithë ne, duhet që në të ardhmen, të bëjmë më shumë për fëmijët. Gëzuar festën e 1 qershorit! Zoti u bekoftë të gjithëve!”- thuhet ndër të tjera në mesazhin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj.