Të nderuar besimtarë mysliman!
Në emër të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, kam kënaqësinë edhe nderin që t’u uroj të gjithëve:
Gëzuar Muajin e begatë e të madhërishëm të Ramazanit!
Paçi agjërim të lehtë dhe të pranuar, paçi shëndet, lumturi, harmoni dhe begati në familjet tuaja dhe, Zoti i Madh ju ndihmoftë për ta përmbushur atë më së miri!
Ky muaj i madhërishëm, jo vetëm lartëson shpirtin dhe e pastron atë nga veset, por kthjellon mendjen e rikthen gëzimin. Ramazani është sfida që njeriu i bën vetes në raport me përmbushjen e përgjegjësive të tij para Zotit, por edhe para familjes, shoqërisë e kombit.
Më tepër se herë tjetër, këtë vit, përkimi i Muajit të Madhërishëm të Ramazanit me situatën pandemike, vështirësitë e përballimit të kësaj jete të vështirë, na bën të gjithëve më të përulur e më adhurues ndaj Krijuesit, më të vendosur përkrah njëri-tjetrit, në mënyrë që të afrohemi sa më shpejt e gjithë së bashku, drejt dritës shpresëdhënëse në fund të tunelit. Duke pastruar shpirtrat tanë, ne mund të shkojmë më shpejt drejt udhës së dritës e të shpresës që synojmë.
Vëllezër të mijë besimtarë!
Nëpërmjet këtij mesazhi, u uroj të gjithëve, më shumë shpresë e besim, dashuri, paqe e kohezion social, vëllazëri, drejtësi e solidaritet, më shumë humanizëm e dlirësi!
Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit!
Zoti na ndihmoftë të gjithëve!
Kryegjyshi Botëror Bektashian,
Hirësia e tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj