Festimi i Kurban Bajramit, ditën e nesërme, e martë, 20 korrik 2021, është paraprirë dhe me një mesazh urimi nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për të gjithë besimtarët. Në mesazhin e tij, Dede Edmond Brahimaj uron për më shumë paqe, dashur e miqësi për të gjithë, më shumë solidaritet e humanizëm për njerëzit e shtresat në nevojë, më shumë reflektim, harmoni e shpresë, për më shumë besim tek fuqia e të Madhit Zot.
Ndër të tjera, në këtë mesazh thuhet: “Bismilahi, Rrahmani Rrahim! Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Në këtë ditë të shënuar të Kurban Bajramit, të falënderojmë Allahun e Lartmadhërishëm, si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, u uroj të gjithëve gëzim e lumturi në familjet tuaja, paqe, dashur e miqësi për të gjithë, më shumë solidaritet e humanizëm për njerëzit e shtresat në nevojë, më shumë reflektim, harmoni e shpresë, që me ndihmën e të Madhit Zot, të kalojmë së bashku këto kohë të vështira nga pandemia e problemet e shumta sociale. Duke festuar me sa më shumë dashuri këtë ditë të shënuar, duke bërë kurban në këtë ditë, ne përjetojmë sa më afër ndjenjën e sakrificën e Ibrahimit (a.s), durimin e pa shembullt të Ismailit (a.s.), paqëtojmë shpirtërat tanë në Udhën e Ndritur, me ndihmën që japim, u gjendemi pranë vëllezërve e motrave tona, atyre që nuk kanë në këtë ditë të bekuar. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”.
Ashtu si në traditë, në ditën e Kurban Bajramit, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane, ka pritje nga ora 09:00, deri 12:00 të ditës së martë, 20 korrik 2021.