Nëpërmjet një mesazhi, sot më 24 shkurt 2023, në ditën e përkujtimit të 1-vjetorit të nisjes së agresionit rus dhe nisjes së konfliktit më të madh ushtarak në Europë, që nga Lufta e Dytë Botërore, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, vlerëson kontributin e dhënë nga mijëra viktima dhe luftëtarë që dhanë jetën për paqen dhe lirinë, duke bërë apel për unitet, solidaritet, dashuri vëllazërore dhe besim në Zot, për të gjithë besimtarët dhe faktorë të tjerë shoqëror, politik e shtetërorë. Njëkohësisht, ai bekon të gjithë ata, që në këto kohë të vështira që po kalon gjithë njerëzimi, si pasojë e luftërave të përgjakura e konfliktet e shumta, bëjnë aq sa munden për paqen dhe liritë njerëzore.
-“Data 24 shkurt, do të mbetet një datë e shënuar për Ukrainën dhe gjithë botën. Kjo ditë na obligon sot më shumë se kurrë të gjithë, që ti japin udhë arsyes njerëzore, përpjekjeve për ndërprerjen e luftës në Ukrainë dhe konflikteve në disa rajone të globit e, të mbretërojë kudo paqja, dashuria vëllazërore, pa dallim etnie, besimi fetar, niveli social, race e ngjyre. Duke bërë përpjekje pa ndërprerë, duke u lutur e shpresuar tek ndihma e Zotit të Madh, kjo orë lumturie do të jetë sa më e afërt. Në këtë datë të shënuar, i lutem Zotit, ti përgjigjet kërkesës sime për të mbrojtur me dëshirën e fuqinë e Tij, të vobekëtit e të pafuqishmit duke u dhënë shpresë e forcë, në mënyrë që paqa të mbetëroj në gjithë botën! Zoti ju bekoftë”- pohon mes të tjerave në mesazhin e Tij, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.