Me rastin e 17 janarit, 556-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë, të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, përkujton e vlerëson rolin e Heroit tonë Kombëtar dhe, nevojën e kontributit të Tij të pa zëvendësueshëm, ndër breza.
Në këtë mesazh, ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj shprehet: “…Më 17 janar të këtij viti, mbushen plot 556 vite të ndarjes nga kjo jetë të Heroit Kombëtar dhe bektashiut Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Skënderbeu, me madhështinë e tij, arriti t’ i bashkojë të gjitha fiset shqiptare kundër otomanëve. Ai vendosi gurin e parë të rëndësishëm në ndërtimin e shtetit shqiptar. Skënderbeu është i papërsëritshëm dhe gjithmonë duhet ta gjejmë atë brenda nesh, për të mbajtur gjallë frymën dhe veprën më madhështore në historinë e popullit shqiptar. Skënderbeu, mbetet shembulli unikal i bashkimit të shqiptarëve. Ai ishte njeriu që krahas sfidave të mëdha dhe në histori, do të qëndroj udhërrëfyes për brezat. Urimi ynë, në këtë rast, është për të gjithë shqiptarët, diasporën dhe besimtarët bektashian në gjithë botën, që të bashkohemi gjithmonë me shpirtin tuaj tradicional heroik për të realizuar testamentin e Skënderbeut, si pasuri që do të transmetohet brezave. Me bekim dhe dashuri atërore. Zoti u bekoftë të gjithëve! Amin!”
Ky përvjetor, në nderim të Kryeheroit tonë Kombëtar, do të jetë dhe objekt i një aktiviteti që organizohet, të mërkurën, 17 janar 2024, ora 11:00, nga Selia e Shenjtë Bektashiane, në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, në sallën ‘Aleks Buda’, të kësaj Akademie.