Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, ngushëllon familjarët, miqtë e shokët e myhibit Tomor Aliko, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në periudhën 1993- 1994, që u nda nga jeta dje (29 qershor 2022), në moshën 97 vjeçare, Tomorr Aliko.
Në mesazhin e Dede Edmond Brahimajt, ndër të tejra thuhet: “Mësuam lajmin e hidhur dhe shprehim ngushëllimet tona, për kalimin nga kjo jetë, të Tomorr Alikos, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në vitet 1993-1994. Jeta e Tomorr Alikos, ish-i burgosur politik antikomunist, nacionalist i spikatur, ish kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, shkrimtar, skenarist, aktivist i shquar i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, është një histori përpjekjesh, sakrificash e qëndrese të spikatur. Ai lindi më 10 korrik të vitit 1925, në Libohovë , të Gjirokastrës. Në moshën 17-vjeçare aderoi në Ballin Kombëtar. Në vitin 1945 u arratis në Greqi, ku u inkuadrua në forcat Aleate. Pas gjashtë muajsh, u kap në kufi. Më 9 dhjetor të vitit 1947, Gjykata Ushtarake e Tiranës, e dënoi me 20 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për “Dhënie informacioni të huajve kundër shtetit”. Pas kryerjes së dënimit, u internua për 29 vjet në Mamurras. U lirua në vitin 1991. Aliko është autor i disa librave, filmave dokumentarë dhe shumë artikuj e intervista në media, ku përmendim: ”Fundi i udhës së gjatë” (1999); “Gjysmë shekull në kthetrat e djallit” (Tiranë, 2003); “Genocidi mbi elitën intelektuale të kombit shqiptar nën terrorin komunist (Tiranë, 2007); "Genocidi gjysëmshekullor në Shqipëri (“Emal”, Tiranë, 2010)’. Tomorr Alikoja është dhe autor i skenarit të filmit dokumentar "Zhdukja e inteligjencës shqiptare gjatë vitëve 1944-1951", prodhim i Televizionit Publik Shqiptar (2008). Ai dha ndihmesë për bektashizmin, si një veprimtar aktiv në përgatitjen e disa ekspozita fotografike mbi bektashizmin dhe botoi librin:” Rilindja e Bektashizmit në Shqipëri“, Tirane, 2004; filmin dokumentar “Bektashizmi në Shqipëri“ etj. Ai ishte muhib, ka marrë dorë nga Kryegjyshi Dede Reshat Bardhi, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në vitet 1993- 1995. Po ashtu, ai ndihmoi në përgatitjen e Kongresit të VI-të bektashian në korrik 1993, si dhe në organizimin e rihapjen e teqeve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Ngushëllimet të sinqerta familjes! Nderim përjetë veprës dhe sakrificës së tij! Qoftë i Xhenetit!”
Varrimi i Alikos, bëhet sot më 30.06, në vendlindjen e tij, në Libohovë.
Përgatiti:
Xhorxhi ÇULLHAJ