Mesazh Ngushëllimi i Kryegjyshit Botëror Bektashian për Atdhetarin “Adem Demaçi”

Mesazhi i Kryegjyshit Botëror Bektashian
Hirësisë së Tij , Haxhi Dede Edmond Brahimaj

Lajmin e hidhur te kalimit nga kjo jetë, të atdhetarit të kulluar Adem Demaçi e përjetova me ndjesinë  e thellë të humbjes së një pjestari familje. Sepse ndonëse na ndanë në vitin e mbrapshtë 1913 , ne sot jemi sërisht së bashku , në familjen e madhe tradicionale, në atë familje të ushqyer në shekuj me dashurinë për zotin dhe atdheun.
Duke qenë një prej shembujve më të spikatur të qëndresës shqiptare ndaj regjimit barbar serb, jeta dhe vepra e Adem Demaçit, ka ardhur me jehonën e saj këtej kufirit (absurd) të Shqipërisë, si një thirrje e vazhdueshme për t’u ngritur pa u frikësuar, shpirtërisht dhe fizikisht mbi çdo regjim që godet liritë.
Padyshim realiteti i sotëm i Kosovës sonë, bashkëjetesa e saj me lirinë i detyrohen shumë këtij burri që mbajti ndezur zjarret e shpresave në kohët më të acarta të kombit tonë. Ndërsa çdo shqiptar, kudo ku ndodhet do të përulet me respektin më të thellë ndaj veprës së Tij.
Në emër të miliona besimtarëve bektashinj në të gjithë botën, por edhe në emrin tim personal, ngushëllojmë sot të afërmit, miqtë dhe bashkëudhtarët e vëllait tonë Adem Demaçi.
Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës o Burrë!

Tiranë 26.07.2018