Mesazh ngushëllimi i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për aksidentin automobilistik në Kroaci, ku humbën jetën 10 kosovarë e u plagosën 30 të tjerë.

Pas publikimit të lajmit të rëndë, ku 10 shtetas kosovarë kanë kumbur jetën dhe 30 të tjerë janë plagosur, në aksidentin e rëndë  që ndodhi sot (25 korrik) pas rrëzimit të një autobusi në territorin e Kroacisë, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Eedmond Brahimaj, ka ngushëlluar familjarët e viktimave për humbjen e rëndë, ka vlerësuar impenjimin e strukturave shtetërore kroate e të Kosovës, bluzave të bardha për angazhimin dhe i është lutur Zotit që të ndihmoj të plagosurit e të lehtësoj dhimbjet e tyre.
Në mesazhin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, ndër të tjera thuhet: “…Mësova me dhimbje për aksidentin e rëndë që ndodhi mëngjesin e ditës së dielë në Kroaci, ku si pasojë e përmbysjes së autobuzit që udhëtonte nga Gjernania për në Kosovë, humbën jetën 10 pasagjerë shqiptarë dhe u plagosën rëndë 30 të tjerë. Me këtë rast, u gjendem pranë familjeve të viktimave në përballimin e humbjes së njerëzve të tyre të dashur, të plagosurve që gjenden në spitale nën përkujdesjen e mjekëve dhe i lutem të Madhit Zot që kjo tragjedi automobilistike të mos ketë viktima të tjera. Njëkohësisht, bekoj të gjithë strukturat shtetërore kroate e ato të Kosovës, mjekët dhe të gjithë ata që ndihmuan në administrimin e kësaj tragjetie të rëndë për përpjekjet që pasojat e aksidentit të jenë sa më të vogla. Viktimave, shpirti i vajtë në xhenet, të plagosurve Zoti u dhëntë sa më pak vuajtje dhe kthim sa më të shpejtë në jetën normale, familjarëve fuqi, kurajë dhe besim tek Zoti, për ta pasur sa më të lehtë peshën e dhimbjes së rëndë. Zoti i bekoftë dhe i ndihmoftë!?.

Tragjedia  e rëndë ndodhi në orën 06:00 të ditës së djelë, 25 korrik 2021, në vendin e quajtur Slavonski Brod të Kroacisë. Autobusi me targa të Kosovës, i linjës Frankfurt-Prishtinë, në të cilin kishte mbi 60 pasagjerë, ka shkarë nga autostrada dhe është përmbysur në anë të saj. Për pasojë, kanë gjetur vdekjen 10 shqiptarë, janë plagosur 30 të tjerë, të cilët ndodhen në spital. Një nga shoferët e autobusit ka ndërruar jetë, ndërsa shoferi tjetër është ndër të plagosurit që po marrin ndihmën e mjekëve.