MESAZH NGUSHËLLIMI I KRYEGJYSHIT BOTËROR, SHENJTËRIA E TIJ, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ, PËR KALIMIN NGA JETA TË PAPA BENEDIKTI XVI

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, me rastin e kalimit nga jeta të Papa Benedikti XVI, nëpërmjet një mesazhi, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Kishës Katolike dhe gjithë besimtarëve katolikë anë e mbanë botës, për këtë humbje.
Ndër të tjera, në mesazhin e Tij, Dede Edmond Brahimaj tha:
“Një yll ndriçues i promovimit të harmonisë fetare në mbarë botën e veçanërisht në Shqipëri, ndërroi jetë. Jam thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Papa Emeritus, Benediktit XVI, një teolog dhe filozof i madh që e deshi aq shumë njerëzimin e Zotin.
Pishtarë të paqes i vijnë rrallë njerëzimin e ne kemi qenë të gjithë me fat ta kemi patur mes nesh këtë personalitet të lartë e misionar të paqes, me fat që kemi shkëmbyer mesazhe paqe e dashurie vëllazërore ndërfetare. Ngushëllime për të gjithë besimtarët katolikë anë e mbanë botës. U prefsh në paqe të përjetshme Papa Benedikt XVI.
Amin!