MESAZH NGUSHËLLIMI I KRYEGJYSHIT BOTËROR, SHENJTËRIA E TIJ, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ PËR TRAGJEDINË HEKURUDHORE NË GREQI

Nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ngushëllon familjar e të afërm të viktimave të tragjedisë hekurudhore në Greqi, ku si pasojë e përplasjes së trenave, humbën jetën 53 persona (tre dyshohet të jenë shqiptarë) e, dyshohet që dhjetra të tjerë të jenë nën rrënoja. Njëkohësisht, ai vlerëson punën e strukturave shtetërore vendase e ato të vajtura në ndihmë, për përpjekjet maksimale për minimizimin e pasojave të kësaj tragjedie të rëndë, duke u lutur njëkohësisht për shpirtin e viktimave.
Në mesazhin e Tij, ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj, pohon: “…Mësuam për tragjedinë e rëndë hekurudhore në Greqi dhe në emër të miliona bektashinjve kudo në botë, shprehim ngushëllimet e thella të afërmëve të viktimave, shërim të shpejtë të plagosurve dhe përshëndesim strukturat shtetërore vendase dhe atyre që kanë afruar ndihmë, që me besimin tek i Madhi Zot, ndjenjën e humanizmit e sakrificës, të bëjnë maksimumin për minimizimin e pasojave, nga kjo tragjedi e rëndë. Është momenti që kjo tragjedi, të paqëtoj më tej shpirtrat tanë, dashurinë e harmoninë vëllazërore, pa dallim race, etnie, besimi e ngjyre. Shpirti i viktimave të kësaj tragjedie u prehtë në paqe! Amin!”
Tragjedia e rëndë hekurodhore në Greqi, është pasuar me një solidaritet njerëzore pa konsideruar kufijtë gjeografik. Për këtë tragjedi, Kryeministri shqiptar, Edi Rama, njoftoi vendimin e Këshillit të Ministrave, për ta shpallur ditën e dielë, datë 5 mars 2023, dit zie kombëtare.