Mesazh solidariteti. Urimi dhe Bekimi i Kryegjyshit Botëror Bektashian.

Të nderuar bashkëkombas!
Duke ju uruar nga zemrat dy festat e shënuar të popullit shqiptar, 28 dhe 29 nëntorin, ditën e shpalljes së pavarësisë e të çlirimit, që sivjet përkojnë me tragjedinë e rëndë të tërmetit të dy ditëve më parë, në cilësitë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, ju bekoj për më shumë dashuri, paqe, miqësi e solidaritet vëllazëror, më shumë adhurim e shpresë tek Zoti, që të na japë më shumë forca e energji për të përballuar dhimbjen që ka pushtuar ne gjithë shqiptarët dhe miqtë tanë në gjithë botën.  Duke filluar që pas momenteve të para të goditjes sizmike, Selia e Shenjtë Bektashiane ka qenë e do të jetë çdo tast pranë të dëmtuarve, me dashurinë vëllazërore e ndihma, në ushqime e veshmbathje.
Ngushëlloj gjithë familjarët që humbën njerëzit e tyre në këtë tragjedi të rëndë, bekoj pushtetarët që ndodhen sot pranë njerëzve, miqtë që na kanë ardhur me ndihma e solidaritet për të shpëtuar e ndihmuar njerëzit. Duke qenë kështu të gjithë së bashku, të bëjmë sa mundemi për të minimizuar pasojat dhe kthimin e  normalitetit në shpirtrat tanë dhe vendin ku jetojmë.
Zoti u dhashtë shëndet, mbarësi e forcë në këtë kohë të vështirë!
Amin!

Kryegjyshi Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj

Tiranë, 28 nëntor 2019