MESAZHE POETIKE TË NJË KLERIKU… (Sot në gazetën ‘Telegraf’)

Përtej petkut të bardhë e misionit të klerikut, nëpërmjet penës së tij, dervish Mikel Onjeja, hedh në letër përjetimet shpirtërore dhe mesazhet që i burojnë nga zemra. Poezia e tij, është një poezi ndjenje, përjetimi, që vjen natyrshëm e që merr shkas nga jeta e përditshme, nga hallet, dertet e shpresat e njerëzve të thjeshtë. Thjeshtësia e vargut, e shprehur dhe nëpërmjet përshkrimeve, epiteteve, të bën të ndjesh emocion, admirim e adhurim. Rasti i këtij kleriku-poet, është sot i rrallë jo vetëm si risi, por dhe për vlerat atdhetare, artistike e jetësore që sjellë poezia e tij. Këtë e shikon qoftë dhe nëpërmjet ciklit të mëposhtëm, “Erdh’ një zog e më kujtoi…”, shkëputur nga dhjetëra vjersha të tij, përzgjedhur për botim...

Kujtim BORIÇI

Cikli poetik: “Erdh’ një zog e më kujtoi…”

Nga dervish, Mikel ONEJA

1- PELEGRINË NË TOMORR

Krahë hapur i pret Tomorri,
Shqiptarët si zogj i vijnë,
Venë kokën tek krahërori,
Kujtojnë Abaz Alinë.

…Për të mbarë e për të mirë,
Me shprese tek mrekullia,
I ngjiten malit pa gdhirë,
Në Tomorr, tek Shenjtëria

2-ERDH’ NJË ZOG E MË KUJTOI...

Erdh një zog, më kujtoi,
10 korrikun, ditë hidhërimi,
Dede Ahmeti kaloi,
E kërkoi Amshimi.

Erdhi zogu shtegtar,
Hapi krahët e fluturimit,
Dërguar si misionar,
Prej Dede Edmond Brahimit.

Lajmëron ne ç’do teqe,
Në dergjahe, në faltore,
10 korriku është për ne,
Dritë e udhës shenjtërore.

Ka kaluar ai burrë,
Mjeshtri jonë i qerametit,
Mejdanet i mbush me nure,
Dritë nga fushat e Xhennetit.

Kruja ka sot aktivitet,
Qyteti e gjithë Bashkia,
Më 10 korrik jep një dekret
Vlerësohet Shenjtëria.

Sa gëzon kala e lashtë,
Kullat muret me bedena,
Vijmë dhe ne, japim uratë,
Gjithë teqetë, nga Tepelena.

Mali i lartë që lëshon dritë
Bekimet i rrjedhin lumë,
Plaku i madh, Sari Salltik
Qe se mbyll syrin në gjumë.

Të mirët, të mirë mbeten,
Frymë e tyre Engjëllore,
Diamantet ne dhe’ s’treten,
Rilindin nure Hyjnore.

Kemi mall’ e i kujtojmë,
Pleqtë tonë të tarikatit,
Porositë në i zbatojmë,
Urdhrat e Dede Reshatit.

Kemi pirë të njëjtën kupë,
Me sherbet e ujë Xhenneti,
Dhjete korriku ditë e shtunë,
Na bekoftë, Dede Ahmeti!

9 korrik 2021

3-NAIMI BASHKË NA MBLODHI….*

Naimi bashkë na mblodhi,
Naim Frashër Shqipëria,
Themele dijes i hodhi,
Këndoi gjuhës së tija.

Diplomat e dijetar,
Rritur si bredhi Hotovës,
Poet penë margaritare,
Në teqe ja nisi shkollës.

Baba Alush mendjendritur,
I dërgoi në Janinë,
‘Zosimea’ i kish’ pritur,
Naim, Avdyl e Saminë.

Aty mbi libra qëndronin,
Ditë e natë, përherë studime,
Për gjuhën Shqipe mendonin,
Dhe për vendin plot mundime.

Gjakun bojë, e bënë për penë,
Për të mirë të Mëmëdheut,
Njëzëri te gjithë u ngrenë,
Bijtë e shenjtë të Skënderbeut.

Nga Kosova në Çamëri,
Ohri, Nishi, Gostivari,
Nden Flamurin Kuq e Zi,
Lidhi besë me besë Shqiptari.

Të shpëtojmë Mëmëdhenë,
Dhe gjuhën e Perëndisë,
Atdhe, ta shkruajmë me penë
Dhe ligjet e mëvetësisë.

* Tiranë, 27.11.2021, në promovimin e librit “Naim Frashëri, apostull dhe bilbil i Shqipërisë”.

4-MIRËSIA…

Në fytyrën e njeriut,
Duket vetë mirësia,
Aty është vepër e Zotit,
E mbrujtur nga dashuria.

Brenda zemrës së kulluar,
Është froni i lumturisë,
Thelbi i thelbit të ndriçuar,
Nga Nuri i shenjtërisë.

Është burimi i përjetësisë,
Që e flasin librat, fetë,
Përkushtim i urtësisë,
Ku kanë çerdhen melaqetë.

Malet, fushat, lulet, detet,
Yjet e gjithë galaksia,
Shihen qartë lotët e dertet,
Brenda janë tek njerëzia.

Ëmbëlsia dhe hidhërimi,
Janë pjesë në ketë jetë,
Gabimi, falja pendimi,
S,’ka njeri pa një siklet.

Është Zoti i Përsosur,
Na dha jetë kur na krijoi,
Nuk na la vetëm brengosur,
Me logjikë na lartësoi.

* Turan Tepelene. 22.9.2021

5-DRITA JOTE O ZOT...!*

Nga drita Jote o Zot,
Përherë me ardhtë ndriçimi,
Për ashkun Tënd o Allah,
Mu shtoftë në shpirt besimi.

Nga Nuri i Shenjtërisë Tënde,
Të kapem fort tek Kurani,
Me Ty, ja Allah, në mendje,
Derisa të më dali dhe xhani.

Përulur në kible penduar,
Ne sexhde ballin pllakosur,
Me zemër e trup të përvuar,
Pranë dritës si flutur vij rrotull.

I tretur në dete dashurie,
Përzier me dallgë durimi,
Elif, kjo germë shenjtërie,
Damare buronjash shkëlqimi .

*Turan, Tepelenë, 23.11.2021