Moderatorja dhe autorja e njohur e emisionit “Identitet”, znj. Aida Shtino, ka vizituar ditën e hënë, më datë 18 janar 2021, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, për tu njohur me historinë e bektashizmit dhe për të parë nga afër muzeun, bibliotekën dhe objekte të tjera kulturore e historike që evidentojnë historinë 800 vjeçare të këtij besimi të paqtë.
Ajo u prit dhe nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Kryegjyshi i bëri një ekspoze të veprimtarive të Selisë së Shenjtë Bektashiane, duke u ndalur sidomos në misionin e saj historik për njohjen dhe përhapjen e bektashizmit, forcimit të dashurisë për Zotin, për njeri-tjetrin si dhe për konsolidimin e vëllazërisë fetare në Shqipëri, Ballkan dhe më gjerë.
Në këtë kuadër, znj. Shtino, u njoh dhe me evenimentet kryesore historike fetare e atdhetare të këtij besimi e klerikëve të tij, hierarkinë e klerit bektashi, veshjen klerikale, objektet e klerit bektashi në Shqipëri dhe në Botë, ceremonitë fetare që organizohen, si dhe me ambientet e godinës multi-funksionale fetare-kulturore të odeonit.
Moderatorja Shtino, premtoi se kjo vizitë e saj në Selinë e Shenjtë ishte shumë impresionuese dhe se do të jetë pjesë e aktivitetit prezantues të saj në median televizive.