NDAHET NGA JETA, HAXHI BABA FAIK SELMANI

Kryegjyshata Botërore Bektashiane, njofton se ditën e premte, 29 nëntor 2024, ka ndërruar jetë në Elbasan, Haxhi Baba Faik Selmani. Ngushëllime familjes!
Haxhi Baba Faik Selmani, i biri Ganiut dhe i Hanos, ka lindur në fshatin Luftinjë, të Tepelenës, në 20 gusht të vitit 1942, në një familje me traditë të hershme bektashiane. Gjyshërit dhe prindërit e tij kanë qenë mbështetës të teqeve, në Koshtan, Maricaj dhe Memaliaj.
Në vitin 1985, baba Faiku vijon zhvillimin e traditave fetare fshehurazi dhe në bashkëpunim të ngushtë me baba Sherif Canometi në Elbasan, deri në fillim të viteve 1990, kur besimi fetar dhe rihapja e institucioneve fetare, u lejuan me ligj.
Pas një veprimtarie të tillë, në vitin 1997, merr titullin “Dervish”, nga Kryegjyshi Botëror i asaj kohe, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe emërohet në Gjyshatën Elbasan, ku shërben me devotshmëri deri në ditët e ndarjes nga kjo jetë.
Haxhi Baba Faik Selmani ka pasur fatin të kryejë ceremoninë e Haxhit në Mekë, të vizitojë vendet e shenjta në Qerbela, Bagdad dhe në Haxhi Bektash të Turqisë.
Baba Faiku, ka ndihmuar në ringritjen apo ndërtimin e objekteve bektashiane në Elbasan.