“NË FRYMËN E HARMONISË DHE BASHKËJETESËS NË KOMUNITET” – KRYEGJYSHATA DHE FEDERATA E PAQES UNIVERSALE NË BULQIZË

Ditën e martë, 4 nëntor 2025, në një atmosferë të ngrohtë dhe bashkëpunimi, Federata e Paqes Universale dhe Këshilli i Paqes Bulqizë, me mbështetjen e Bashkisë Bulqizë, organizuan konferencën rajonale me temë “Në Frymën e Harmonisë dhe Bashkëjetesës në Komunitet”, fryt i Memorandumit të Bashkëpunimit të nënshkruar mes FPU dhe Bashkisë.
Veprimtarinë e moderuar nga Kryetari i FPU Shqipëri, z. Defrim Methasani, e përshëndeti edhe Kryetarja e Bashkisë Bulqizë, znj. Festime Mjeshtri, duke theksuar rëndësinë e respektit dhe bashkëjetesës në komunitet. Fjalë vlerësuese mbajtën gjithashtu z. Flamur Meta, Kryetar i Këshillit të Paqes Bulqizë, dhe z. Korab Kika, Nënkryetar i Këshillit Rajonal të Paqes Dibër.
Konferenca u nderua nga përfaqësues të komuniteteve fetare dhe shoqërore: Dervish Hasan Çakanji – Komuniteti Bektashi; Z. Sejdin Strazimiri – Myftiu i Bulqizës; Motër Giuseppina Cappelletti – Kishë Katolike; z. Fiqiri Duriçi, me shembuj të bashkëjetesës në Bulqizë
Atmosferën e gjallëruan Fëmijët e Bulqizës me këngë dhe valle popullore, duke përçuar shpirtin e bashkimit dhe dashurisë për vendin.
Në përmbyllje, u zhvillua ceremonia e nderimit me titullin “Ambasador për Paqe”, duke vlerësuar personalitete që kontribuojnë në harmoninë dhe mirëkuptimin në komunitet.
Falënderime të përzemërta për të gjithë pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët që e bënë këtë ditë të paharrueshme për paqen dhe bashkëjetesën.

Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror, përcjellë nga Dervish Hasan Carkanji:
“Të nderuar drejtues dhe organizatorë të këtij eventi me paqedashës!
Në frymën e Harmonisë dhe Bashkëjetesës në Komunitet, dërgojmë përshëndetjet më të përzemërta për gjithë besimtarët, qytetarët dhe familjet e nderuara të Bulqizës, kësaj treve të ndritur që ka ruajtur ndër shekuj dashurinë për Zotin, për njeriun dhe për atdheun.
Bulqiza, me shpirtin e saj punëtor e me zemrën mikpritëse, ka qenë gjithnjë një shembull i bashkëjetesës ndërfetare dhe i unitetit shpirtëror që përfaqëson thelbin e mësimeve të një bashkëjetese komunitare të përkryer. Në këtë tokë të bekuar, drita e Zotit është ndjerë në çdo shpirt që punon me ndershmëri, që ndan bukën me tjetrin, që fal e që mëshiron pa dallim.
Në rrugën e dritës, paqes dhe urtësisë, bektashizmi ka sjellë gjithmonë thirrjen hyjnore për dashuri, mirëkuptim dhe drejtësi. Ai ka qenë një urë lidhëse ndërmjet zemrave, duke predikuar se njeriu është vepër e Zotit dhe se çdo shpirt mbart brenda vetes dritën hyjnore. Në këtë kuptim, çdo vepër e mirë, çdo ndihmë ndaj tjetrit, është një akt adhurimi dhe një pasqyrë e besimit të vërtetë.
Komuniteti i Bulqizës, me besimin e tij të fortë dhe me karakterin e pathyeshëm, ka ditur të ruajë dhe përcjellë këto vlera të larta. Këtu, fjala “bashkëjetesë” nuk është vetëm një ideal, por një mënyrë jetese, e rrënjosur në ndërgjegjen kolektive të brezave. Kjo është pasuria më e madhe që duhet ruajtur dhe forcuar çdo ditë.
Në këtë kohë të sfidave shoqërore e shpirtërore, le të shërbejë ky mesazh si thirrje për unitet, për dashuri e për bashkim në emër të Zotit. Të gjithë ne, bij e besimtarë të një Krijuesi të vetëm , Zotit të Lartë duhet të ecim në rrugën e dritës, duke qenë shembull për të rinjtë, për fëmijët dhe për brezat që vijnë pas nesh sepse “Zoti banon në zemrën që fal dhe dashuron.”
– Nga mësimet e Imam Aliut, përcjellë në traditën bektashiane. (“Fjalët e Urtësisë së Imam Aliut”, përkth. Baba Rexhep, Neë York, 1959)
Uroj që në zemrat e gjithësecilit prej jush të mbizotërojë gjithmonë drita e besimit, forca e lutjes dhe fryma e shenjtë e bashkimit, që të sjellin bekim në çdo familje, mirësi në çdo shtëpi dhe paqe në çdo zemër.
Le të ndriçojë mbi këtë krahinë drita e Zotit, dhe le të jetë çdo ditë e re një mundësi për dashuri, për falje dhe për vepra të mira, që e bëjnë njeriun më pranë Hyjnisë së Zotit dhe më të afërt me tjetrin. E megjithatë, “Kush kërkon dritën e Zotit, duhet ta ndezë më parë në shpirtin e vet.”
– Nga udhëzimet shpirtërore të Haxhi Bektash Veliut. (“Makalat”, Haxhi Bektash Veliu, përkthim bektashian, Kryegjyshata Botërore, Tiranë, 2007)

Me dashuri, respekt dhe bekim hyjnor,
Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.”