Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar besimtarë bektashinj të Gjakovës dhe Kosovës!
I nderuar vëllai im, baba Mumin Lamaj!
Më lejoni t’ju uroj në këtë ditë të lavdishme të jubileut të themelimit të teqesë, si Kryegjysh Botëror Bektashian si dhe të miliona ndjekësve të Haxhi Bektash Veliut. Zoti i Lartë ua shpërbleftë devocionin tuaj ndaj besimit të palëkundur, duke sjellë paqe e begati në familjet tuaja!
240 vite më parë, në Gjakovën tonë të mrekullueshme, në Gjakovën e burrave që do t’u dilnin zot fateve të kombit tonë, në simbolin e shenjtë të harmonisë fetare, midis xhamive, kishave dhe objekteve të kultit të tarikateve të ndryshëm të Islamit, do hidhte themelet e saj edhe teqeja bektashian. Invazionet armiqësore në truallin arbëror, bënë që përgjatë shekujve, të plekseshin me njëra-tjetrën jo vetëm etni, gjuhë e raca, por edhe civilizime, fe apo besime të ndryshme. Por shqiptarët në çdo kohë dhe populli i Gjakovës në veçanti, ndjenjën kombëtare e mbajtën kurdoherë të pacenuar në shpirtin e tyre, nga asnjë pushtues, nga asnjë predikues. Deviza jonë kombëtare se “pa atdhe, nuk ka fe”, ka ardhur e fuqishme deri në ditët e sotme.
Motra dhe vëllezër të mijë!
Një ditë si koje sotmja, ne sigurisht duhet ta festonim me shumë madhështi. Jo thjeshtë si ditëlindje e një objekti kulti. Por si ditëlindje në Gjakovë të një tarikati, i cili qysh në esencë të tij, afronte vëllazëri e mirëkuptim pa asnjë lloj kushti. Vëllazëri shpirtrash e mendjesh, sipas parimit të mrekullueshëm që përpara Zotit, jemi të gjithë të barabartë. Teqeja jonë, qysh në fillimet e saj, iu shtua ansamblit të konstruktit ndërkombëtar të Kosovës, duke dëshmuar jo vetëm devocionin e besimtarëve të Haxhi Bektash Veliut, por edhe frymën e tyre kombëtare, e cila nuk u shua në asnjë rast, por mbeti bashkudhëtare e përhershme me fatin e brishtë të shqiptarëve në këto troje.
Dokumente të shumtë të historiografish shqiptare dhe asaj ballkanike, flasin shumë qartë, sidomos për kontributin e teqesë së Gjakovës në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atëherë kur diskutohej vetë ekzistenca e mëtejshme e trojeve tanë. Teqeja e Frashërit, ajo e Shememi Babait në Krujë, e Bllacës në Dibër dhe kjo e Gjakovës, të udhëhequr prej klerikëve të shquar dhe nën ndikimin e shqiptarit e bektashiut të madh, Abdyl Frashërit, iu bashkuan lëvizjes autonomiste shqiptare, duke u shndërruar në vatra të frymës anti-osmane. Madje pati edhe disa klerikë bektashinj, që pas shtypjes që iu bë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u burgosën, u dënuan dhe u tretën burgjeve të perandorisë otomane, por asnjëherë nuk u përkulën.
Atdhetarizmin e tyre të kulluar, besimtarët e teqesë së Gjakovës e kanë demonstruar në çdo kohë, në vitet 1910-1914, në vitet 1940-1944, për të ardhur në vitet e fundit të shekullit të kaluar. Ne do të kujtojmë me respekt që shumë nga bijtë e UÇK-së, të cilët mbushën radhët e çetave gjakovare, ishin rritur e mëkuar në këtë teqe, me parimet më të vyera moralë për Zotin, Haxhi Bektashin, atdheun. Ne nuk mund të harrojmë për asnjë tast, jetët e njoma të atyre bijve të UÇK-së, të cilët dhanë edhe jetën e tyre për lirinë e kombit. Unë jam i lumtur t’ju kujtoj sot, në këto rreshta të pakët, , respektin e miliona besimtarëve për çdo të rënë dhe për çdo luftëtar të UÇK-së, të cilët sakrifikuan gjithçka për prosperitetin ndërkombëtar. Një mirënjohje e thellë shkon sot edhe për aleatët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët, përgjatë shekullit të kaluar dhe ende në këto ditë, na janë gjendur pranë në ditët më të vështira.
Të nderuar besimtarë!
Kalojmë ditë të vështira të pandemisë botërore dhe nuk zhvilluam dot një veprimtari siç e meritonte kjo datë. Po, do Zoti i Lartë, na ndihmon dhe me vullnetin e të gjithëve, do i kalojmë këto çaste. Do të doja që sot, të gjithë ne, të përulemi në heshtje, me respektin e madh, përballë emrave të klerikëve bektashianë që kanë shërbyer në këtë teqe prej 240 vitesh. Kujtimi i tyre le të mbetet udhërrëfyes në udhëtimin tonë. Nder dhe respekt edhe për baba Memin Lamaj, i cili prej vitesh, pa u lodhur, shpërndan në Gjakovë paqen dhe urtësinë bektashiane.
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!
Fjala e Kryegjyshit Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj