Ditën e sotme, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, u zhvillua ceremonia tradicionale e Ashures, që u organizua pas ditës së dhjetë të agjërimit të Matemit, në kujtim të 72 martirëve, luftëtarëve të Qerbelasë. Kjo ceremoni, u përgatit nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Të gjitha ritet e festës së kësaj dite, u drejtuan nga Kryegjyshi Botëror Bektashian.
Në ceremoninë e Ashures, përveç qindra besimtarëve e dashamirësve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore e komunitete bektashinjsh të ardhur nga vende të ndryshme, morën pjesë klerikë të besimeve të ndryshëm fetare, personaliteteve të lartë të institucioneve shtetërore në vend dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Ndër ‘ta ishin dhe: Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri; Nunci Apostolik; Imzot Dom Henri nga Kisha Katolike; Hirësia Asti i Kishës Ortodokse; Përfaqësuesi ligjor i OSBE në Shqipëri; Kreu i Tarikatit Kadri, Bujar Harasani; Krey i Tarikatit Rufai, Sheh Qemaludin Reka; Prefekti i Tiranës; Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Velia; biznesmeni e botuesi Irfan Hysenbelliu; Kaliopi Naska nga Universiteti Albanian-Univertsity; Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta etj....
Fillimisht, në përshëndetjen e Tij, Kryegjyshi Botëror Bektashian, uroi e bekoi të pranishmit në këtë festë, duke shtruar dhe apelin, që ‘të bëhen vepra të mira dhe gjithmonë të ndihmohen të tjerët, sidomos në kohërat e vështira që bota jonë po jeton’.
“Të nderuar pjesëmarrës, të ftuar, besimtarë myhibë e klerikë! Sot festojmë ditën e Ashures, pas dhjetë ditëve të zisë dhe agjërimit të matemit në nder të të rënëve të Qebelasë. Festa të tilla bashkojnë jo vetëm besimtarët, por mbarë njerëzit, ndaj është e rëndësishme që ato të kalohen në harmoni dhe me personat e dashur. Festa e Ashures, është një ceremonial i thjeshtë në dukje, por i pa zëvendësueshëm për traditën tonë bektashiane, që na bën më njerëzor, më dashamirës e më humanë. ...Në këtë mënyrë të jetuarit së bashku në kulturën tonë, me vështirësitë që kjo botë po kalon, luftërat, vrasjet, pandemitë na mësojnë të ndajmë me njëri tjetrin, dashurinë, hidhërimin, pikëllimin dhe barrën e vështirësive që na sjell jeta. Filloni nga ndërgjegjësimi i vetes suaj dhe bëni vetëm të mira. Bëni vetëm të mira dhe Zoti do t’ua shpërblej. Luftoni veset e këqija dhe duajeni jetën. Shpirtrat e bardhë të dëshmorëve të Qerbelasë, na ofrojnë këshillën dhe virtytet e tij për të ecur në rrugën e së vërtetës në çdo koncept të jetës...”- theksoi ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Në vijimësi, Dede Edmond Brahimaj, priti personalitete e besimtarë, duke shijuar së bashku, ashuren, simbolin e kësaj dite të shënuar.
Përgatiti: Xhorxhin Çullhaj
Fotot: Nuri Çumani