Bismilahi Rrahmani Rrahim!
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Më lejoni te ndaj me ju gëzimin e kësaj dite që lidhet me ngritjen e tyrbes së re, në të cilën janë vendosur mezaret e klerikëve më të shquar të kësaj teqeje.
Teqeja e Koshtanit, ka një histori shumë të vyer, me të cilën vlen të merren jo vetëm studiuesit shqiptar të bektashizmit, por edhe ata të huaj, pasi nëpërmjet shtresëzimeve historike, vijnë mesazhe të kulturave të ndryshme, të identiteteve të ndryshëm kulturor dhe realiteteve po ashtu të ndryshëm të krahinës së Tepelenës.
Qysh në vitet 1906-1907, baba Ahmet Resuli në bashkëpunim me Petro Nini Luarasin dhe atdhetarë të tjerë shqiptarë, siguruan abetaret dhe tekstet e parë në gjuhën amtare. Kërkesë pas kërkese në qendër të vilajetit të Janinës, më së fundmi, baba Ahmeti i teqesë së Koshtanit, mundi të siguroj një leje nga autoritetet turke për çeljen e shkollës, me idenë e mësimit të gjuhës me alfabetin arab. Por në vjeshtën e vitit 1908, kur shkolla u çel, nxënësit e ardhur nga e gjithë Tepelena, madje edhe nga Mallakastra e Berati, fshehurazi nisën të mësojnë gjuhën shqipe me germa latine, ashtu sikundër ishte vendosur në Kongresin e Manastirit, prej dijetarëve dhe trimave të Shqipërisë.
Teqeja e Koshtanit do të mbijetonte në vitet 1944-1967, për t’u harruar më pas, deri në ringritjen e saj në vitin 1992. Ka qenë pikërisht koha, kur pas ardhjes së demokracisë, dy klerikët e mrekullueshëm, baba Bajram Mahmutaj dhe baba Sherif Canometaj erdhën së pari këtu, me idenë dhe frymën e shenjtë për të ringritur këtë teqe plot famë. Më tej, dede Reshati dërgoi këtu dervish Xhelal Resulin, i cili mblodhi besimtarët e parë duke rrëfyer për misionin e madh që kishin përpara, duke vijuar punën fisnike dhe veprën bektashiane me baba Abdyl Shehajn, i cili u dha jetë këtyre mureve historikë. Sot, tyrbja që po inaugurojmë është ngritur me merakun dhe kujdesin e drejtpërdrejtë të baba Faik Selmanit dhe Dervish Admir Selmanit, të cilët si bij të këtij vendi, ngritën këtë monument të qëndresës bektashiane.
Zoti qoftë i kënaqur me veprën e krejt dervishëve dhe baballarëve tanë!
Zoti na bekoftë të gjithëve!
Amin!
KRYEGJYSHI BOTËROR I BEKTASHINJVE
SHENJTËRIA E TIJ
HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ